Tiranë, 13 maj, NOA – “Që nga shtatori i vitit të shkuar e deri më sot, pjesa më e rëndësishme e institucioneve qeverisëse të vendit ka reshtur së funksionuari”.
Ky është konstatimi që ka bërë publik lëvizja MJAFT në një deklaratë për shtyp, duke shtuar se “parlamenti shqiptar, nga ngrehina më e lartë e përfaqësimit të qytetarëve, është shndërruar në një klub privat të mazhorancës qeverisëse”.
Ndërsa, sipas drejtuesve të kësaj lëvizje, një pjesë e konsiderueshme e institucioneve qeveritare kanë braktisur funksionin e tyre publik dhe janë shndërruar në komitete paszgjedhore që organizojnë antimitingje.
Ndërsa në lidhje me grevën e urisë së Partisë Socialiste, lëvizja MJAFT pohon se
“greva është një instrument demokratik dhe shumica e kërkesave të grevistëve është racionale përtej çdo dyshimi”.
“Ndaj, ne i bëjmë thirrje kryeministrit të vendit që minimalisht të tregojë respekt dhe seriozitet ndaj grevistëve dhe kërkesave të tyre e të mos i kufizojë përgjigjet në gjuhën e batutave të ulëta, apo duke risjellë në skenë, rudimentet e bashkimeve profesionale”, pohojnë ata.
Në fund deklarojnë se “bashkë me kërkesat e drejta të grevistëve, duhet pretenduar medoemos restaurimi i Kushtetutës së Shqipërisë, rivendosja e pavarësisë së institucioneve dhe kthimi i tyre në shërbim të qytetarëve dhe jo i qytetarëve në shërbim të pushtetit”.
n.e/NOA