Nis Punimet Seanca Plenare Në Kuvend
TIRANË, 13 Maj/ATSH/- Kuvendi i Shqipërisë nisi sot pasdite punimet e seancës plenare të radhës me diskutimet për çështje jashtë rendit të ditës, që lidhen me problematika të aktualitetit.
Deputetët e Partisë Socialiste, në opozitë, nuk marrin pjesë në seancë, pas vendimit të një jave më parë të grupit parlamentar, se do të bojkotojnë Kuvendin deri në përgjigjen e kërkesave të tyre për transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit. Për këtë arsye një pjesë e deputetëve të kësaj force politike ndodhen në grevë urie prej 13 ditësh, në disa çadra të vendosura në bulevardin "Dëshmorët e Kombit".
Ndërkohë, deputetë të Partisë Demokratike që kanë marrë fjalën në minutat e debatit të lirë të seancës së sotme parlamentare janë shprehur se greva e opozitës është kundër lëvizjes së lirë dhe integrimit të shqiptarëve në Europë.
"Protesta e opozitës nuk drejtohet kundër qeverisë, por kundër qytetarëve shqiptarë, kundër lëvizjes së lirë dhe integrimit të shqiptarëve në Europë", u shpreh deputeti Flamur Noka në fjalën e tij sot në Kuvend.
Ndërsa deputetja tjetër e PD-së, Ledina Alolli tha se "Edi Rama kërkon pushtet me çdo mjet, kërkon pushtet duke bllokuar rrugët".
/a.s/k.sh/