English

Obama Dhe Medvedev Për Intensifikimin E Procesit Të Sanksioneve Kundër Iranit

UASHINGTON, 13 maj /ATSH-AFP/ - Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Barak Obama dhe Dmitri Medvedev, do t'u kërkojnë negociatorëve të tyre në Kombet e Bashkuara intensifikimin e përpjekjeve për të arritur në një rezolutë për sanksione të reja kundër Iranit, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë. Obama dhe Medvedev zhvilluan sot në mëngjes një bisedë telefonike gjatë të cilës biseduan për "përparime" të arritura në OKB nga grupi i gjashtë fuqive të mëdha (Kina, SHBA-ja, Franca, Mbretëria e Bashkuar, Rusia dhe Gjermania) drejt një marrëveshjeje për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së lidhur me Iranin", shtoi presidenca amerikane në një komunikatë. Dy drejtuesit ranë dakord për t'u kërkuar negociatorëve të tyre intensifikimin e përpjekjeve për arritjen në një konkluzion sa më shpejt që të jetë e mundur", vazhdoi i njëjti burim. Shtetet e Bashkuara, në krye të vendeve të cilat dyshojnë se Teherani po përpiqet të sigurojë armën bërthamore nën pretekstin e një programi civil, i kanë paraqitur grupit të gjashtëshes një projekt të ri sanksionesh në OKB kundër Republikës islamike. Sipas një zëdhënësi të Departamentit të Shtetit, diplomatët e grupit të gjashtë vendeve u mblodhën edhe njëherë dje në Nju Jork, ku ndodhet selia e Kombeve të Bashkuara, për të trajtuar këtë çështje. /I.Pu.
KOMENTE