Okb - Libia Zgjidhet Anëtare E Këshillit Për Të Drejtat E Njeriut
NJU JORK (OKB), 13 maj /ATSH-AFP/ - Libia u zgjodh sot në Këshillin e OKB-së për të drejtat e njeriut, pavarësisht përpjekjeve të shumë OJQ-ve të cilat e cilësojnë atë të padenjë.
Një grup prej 37 organizatash të mbrojtjes së të drejtave të njeriut u drejtoi sot në mëngjes 192 shteteve anëtare të OKB-së një thirrje të minutës së fundit që të mos i japin Libisë një vend në këshill, organi kryesor i OKB-së për të drejtat e njeriut me bazë në Gjenevë.
Kjo thirrje ra në vesh të shurdhët dhe Libia e kolonelit Muamar Kadhafi mori 155 vota në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, shumë më tepër se shumica absolute prej 97 votash e nevojshme për t'u zgjedhur, gjatë një votimi të fshehtë.
Libia dhe 13 shtete të tjerë ishin në listë për t'u zgjedhur pa konkurrencë për 14 vende në Këshillin e OKB-së.
OJQ-të kanë kritikuar gjithashtu faktin që këtë vit, për herë të parë, çdo grup rajonal i OKB-së ka paraqitur një numër kandidatësh të barabartë me atë të vendeve bosh, duke siguruar zgjedhjen e tyre të padiskutueshme. "Zgjedhje pa garë nuk kanë kuptim", u shprehën ato.
Këshilli ka 47 shtete anëtare që zgjidhen çdo tre vjet. Një e treta e efektivit zgjidhet çdo vit. Përbërja e Këshillit varet nga përbërja gjeografike e OKB-së dhe vendet ndahen me zona.
Në grupin e Afrikës, përveç vendit që zuri Libia, tre vende të tjera bosh u zunë nga Angola (170 vota), Mauritania (167) dhe Uganda (164).
Në grupin e Azisë, tërheqja në prill e kandidaturës së Iranit, e përshëndetur nga organizatat e të drejtave të njeriut, lejoi Malajzinë, Maldivet, Katarin dhe Tajlandën të konkuronin dhe të zgjidheshin në katër vende bosh.
Për Amerikën Latine, Ekuatori dhe Guatemala u zgjodhën në dy vende të disponueshme, ashtu si dhe Spanja dhe Zvicra për Evropën Perëndimore dhe Moldavia dhe Polonia për Evropën Lindore.
Rezultatet u njoftuan nga presidenti i Asamblesë së Përgjithshme, Ali Triki, i cili është me kombësi libiane.
/I.Pu.