English

PD kërkon transparencë nga Rama: Çfarë fshihet në çadra, pse nuk lejohen mjekët?

Tiranë, 13 maj, NOA - Partia Demokratike ka kërkuar sot transparencë në lidhje me kushtet dhe trajtimin e grevistëve të Partisë Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Zëdhënësja e PD-së, Erla Mëhilli duke akuzuar drejtuesit e PS-së theksoi se shqiptarët duhet të dinë se përse mjekët e shërbimit shëndetësor shtetëror nuk lejohet të hyjnë në çadra.

“Çfarë fshihet prapa fletëve të çadrave që ti ke frikë se mos shërbimi zyrtar shëndetësor do ta nxjerr në shesh? Çfarë fsheh ti në fletët e çadrave kur nuk lejon shërbimin sanitar të kontrollojë edhe për kushtet bazë të të burgosurve të tu?”, u shpreh Mëhilli.

Nga ana tjetër ajo shtoi, se shqiptarët e kuptojnë se Rama ka frikë t’i hap “fletët e çadrave nga punonjësit e shëndetësisë dhe shërbimeve sanitare të cilët i ke zëvendësuar me militant fanatikë duke shkelur kështu çdo kod etik dhe moral”.

Deklarata e PD-së në ditën e 13 të grevës ka qenë edhe më e ashpër duke kujtuar lidhjet mafioze, sipas deklaratës, të një pjese të lidershipit të PS-së.

“Sot u bënë plot 13 ditë që Edvin Kristaq Rama, Gramoz Ruci, Ilir Xhelil Gjoni, Dashnor Myslym Peza bllokojnë shërbimin zyrtar shëndetësor duke e trajtuar kampin e vendosur në bulevardin e kombit si një bodrum apo shpellë të koskave mafioze ku mund të hyjnë vetëm të besuarit e kumbarës”, u shpreh Mëhilli.

Duke theksuar dhe një herë shkeljen që ka të bëjnë me kurimin dhe kontrollin e grevistëve, Mëhilli shtoi se “ky akt i bllokimit të shërbimit zyrtar shëndetësor në çadrat e burgut Rama – Ruci është një dhunim flagrant i të drejtave ndërkombëtare, i Konventës së Gjenevës dhe Vendimeve të Strasburgut mbi trajtimin e të burgosurve, robërve dhe grevistëve të urisë”.

m.xh/NOA

KOMENTE