English

"Përhumbje Diku....", Ekspozita E Dyte Në Atdhe E Piktorit Lian Lutfija

TIRANË, 13 Maj/ ATSH- Suada Daci/- Mes tingujve të kitarës, piktori 32- vjeçar Lian Luftija prezanton ekspozitën e dytë vetjake "Përhumbje diku", të stilit impresionist në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, e cila do të qëndrojë hapur deri në 15 maj. I lindur në Tiranë, por rritur dhe shkolluar në Turqi, piktori Lutfija në harkun kohor të një viti sjell rreth 20 punime të reja në pikture, ndërsa vjet çeli ekspozitën e parë në Tiranë me titull "Fllad impresionist", ku tërhoqi vëmendjen e rretheve te larta artistike dhe mori vlerësime entuziaste. 'Më tërheq impresionizmi, ndjehem me afer tij, sepse mendoj që artistët e kësaj periudhe janë kuptuar më mirë. Sinqeriteti ka impresionuar veprat e tyre dhe në punimet e mia përpiqem të përdor sinqeritet, dritë, harmoni, reaksionet ngrohtë-ftohtë', shprehet piktori. Në 15 vjet karierë, Lian Lutfija ka realizuar rreth 10 ekspozita në shtete të ndryshme, por dhe kryesisht në Stamboll. Në qarqet artistike ku është prezantuar, artisti është vlerësuar nga mediat prestigjioze Turke "me këndvështrime të reja pasuruese". Lian Lutfija u lind në Tiranë në 1978. Ai ka nisur të pikturojë që në moshë të vogël në rrethet e pikturës në Pallatin e Pionierëve dje atë të Kulturës në Tiranë. Nga viti 1992-1996 kreu Liceun Artistik 'I.A.A. Guzel Sanatlar Lisesi' në degën e pikturës në Stamboll, ndërsa në 1997 fitoi konkursin në 'USA Milwauke Institute of Art & Design'. Në vitet 1997-2004 studjoi në Universitetin e Arteve 'Arkitekt Sinani', dega pikturë në Stamboll, ku u kualifikua si 'I Pari'. Karriera e tij zhvillohet kryesisht në Stamboll me ekspozita vetjake dhe kolektive, një prej të cilave dhe pjesëmarrja në Bienalen e Stambollit./n.m/ .
KOMENTE