Itali, 13 maj, NOA - Ka ngelur shtatzënë në moshën 54 vjeçare, pa përdorimin e asnjë kure. Një shtatzëni në mënyrë krejt natyrale. Siç shkruan gazeta “Il Tirreno” Giovanna Ciardi gruaja 54 vjeçare me origjinë nga Pistoia jeton që prej 30 vjetësh në Camaiore (Lucca) së bashku me burrin e saj Paul Brown dhe vajzën 23 vjeçe që e kishte nga një martesë e mëparshme.
Nëna e ardhshme tha se në janar kishte pasur një vonesë të menstruacioneve dhe mendoi se kishte arritur menopauzën.
“Por kur i tregova mjekut se kam pasur të përziera dhe trazime në stomak, ai duke qeshur tha se këto simptoma nuk kanë të bëjnë me menopauzën dhe më këshilloi të blej një test shtatzënie, por kur dhe ai doli pozitiv bëra analizat e gjakut. Nuk e kisha llogaritur që do të mbetesha shtatzënë në këtë moshë– tani pas 15 javësh shtatzënë e di që do të kem një vajzë”, thotë gruaja.
Lidhur me rastin në fjalë Giovanni Paolo Cima, shefi i repartit të obstetrikës dhe gjinekologjisë në spitalin Versilia, thotë: “Një shtatzëni natyrore në moshën 54 vjeç është një rast jashtëzakonisht i veçantë. Deri më sot jemi ndeshur me dy raste të shtatzënisë natyrore në moshën 47 vjeçare. Mbi pragun e kësaj moshe nuk kemi pasur të tilla”.
“Dhe, ajo që më rezulton - përfundon ai - edhe jashtë Versilias raste të tilla janë të rralla”.
a.k/NOA