English

Profil Biznes/Durrës: Suksesi I Produkteve Kozmetike Ne Biznesin E Elza Baltezes

DURRËS, 13 maj /ATSH-Gëzim Kabashi/ - "Beba Biochem" është ndërmarrja prodhuese kryesore e sektorit higjeno-kozmetike në vend, ku nga duart e 25 grave dhe vajzave që punojnë çdo ditë në të në periferi të lagjes Spitallës, në Durrës, dalin 56 artikuj kozmetikë të ndryshëm cilësorë, që gjejnë tregun e shitjes në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Malin e Zi. Elsa Baltëza, që drejton ndërmarrjen bashkë me vajzën, Gita është gruaja energjike që beson plotësisht në punën që bën dhe që nuk tërhiqet nga nismat e reja. Dy javë më parë Elza ishte ftuar në "Presidential Summit on Entrepreneurship", organizuar në Uashington DC (SHBA) nën kujdesin e presidentit amerikan Barack Obama. Hillary Clinton: Bravo Shqipëria, rroftë Kosova "Patëm fatin të takojmë gjatë Samitit zonjën Hillary Clinton, sekretaren e Departementit amerikan të Shtetit," - tregon për ATSH-në Elsa Baltëza gjithë ditët e qëndrimit në SHBA. "Qëndruam së bashku me biznesmenen nga Tirana, Donika Mici dhe përfaqësuesen kosovare të biznesit, Mirlinda Kusari (Purrini) dhe znj. Klinton, kur e mori vesh se nga vinim, ndaloi veçmas. "Bravo Shqipëria, rroftë Kosova" janë fjalët e saj që nuk do t'i harroj kurrë," thotë gruaja biznesmene, e cila përfaqësoi Shqipërinë në samitin ekonomik të organizuar nga presidenca e SHBA, me drejtues të kompanive private dhe shoqatave joqeveritare të biznesit nga e gjithë bota. Në konferencën që ndër të tjera, synonte nxitjen e pjesmarrrjes së grave në biznes ishin përzgjedhur kryesisht subjektet private familjare të dalluara në veprimtarinë prodhuese dhe veçanërisht, ato që vinin nga martesa të përziera. "Bardhi, bashkëshorti im është mysliman," vijon Elsa, që përpjekjet në biznes nuk i ndan kurrë nga i shoqi dhe fëmijët e tyre, sepse të gjithë së bashku, tani janë ortakë të aftë dhe mjaft punëtorë. Në vitin 2003 të gjitha kursimet e mbledhura, familja Baltëza i drejtoi në një ndërmarrje tjetër shumë të madhe për riciklimin e letrës, investimi për ngritjen e së cilës arrin në 13 milion euro. "Jemi ortakë me BERZH-in, por kjo është një histori tjetër, për të cilën mund të flasë Bardhi," më thotë Elsa, teksa i drejtohemi pjesës prodhuese të fabrikës. Pasi lëmë pas laboratorin e ndërmarrjes në repartet e ndriçura mirë, mbizotëron pastërtia e plotë. Një grup vajzash punojnë për ambalazhimin e kremërave dhe kutijave me pudër për fëmijë. "Konsumatorin shqiptar vazhdon ta mundojë mentaliteti se produktet e huaja janë më të mira, por siç e shikon këtu te ne punohet për të kundërtën", vijon bisedën Elsa Baltëza. "Numri i artikujve kozmetikë dhe sasia e prodhimeve që kërkohen nga tregu rritet vazhdimisht. Ndërmarrja është pajisur me një sistem modern të makinerive", thotë ajo, ndërsa ndjekim me vëmëndje linjat e prodhimit të kremërave për bebet e sapolindura. 17 vjet përvojë bashkë me familjen Firma e familjes Baltëza nisi të funksionojë në vitin 1993, por që atëherë, shumë gjëra kanë ndryshuar. Prodhimet e saj kozmetike para tre vjetësh janë çertifikuar me standartin evropian ISO 9001 2000. Ndërsa shtimi i klientëve mbështetet në seriozitetin e veprimtarisë së firmës. "Nuk ka qenë e lehtë, por e kemi përballuar të gjithë së bashku si familje dhe mbi të gjitha, jemi përpjekur ta shohim shtetin jo si pengues, por si bashkëpunëtorin më të rëndësishëm në vijueshmërinë e biznesit që nisëm 17 vjet më parë," thotë Elsa. Elsa e nisi biznesin familjar pas një përvojë të gjatë si mercologe që nisi në vitin 1970 në nga një ndërmarrjet grosiste të periferisë së Durrësit. Por vetë gjithesi vjen nga një familje me tradita në fushat e biznesit. Kurajo dhe besimi, që nuk i mungojnë asnjëherë, i kanë dhënë rezultat gruas së paepur, që po të mos kishte flokët e bardhë, do të ishte shumë e vështirë t'i përcaktosh moshën e vërtetë. "Ne mbulojmë 80 përqind të tregut shqiptar me pudër, shampo, vajra plazhi, etj", shprehet Elsa Baltëza, e cila shton me bindje se shumë shpejt fabrika e saj do të zgjerohet edhe më tej. Çdo vit në fabrikën e "Beba Biochem" prodhohen 2-3 artikuj të rinj dhe makineritë moderne tashmë zënë vend në të gjitha proçeset e punës. Përshëndesim vajzat dhe gratë që vazhdojnë të punojnë mbi konvejerin e linjës prodhuese dhe bashkë me Gitën, vajzën e familjes, nisemi drejt Porto Romanos, ku ndodhet fabrika e riciklimit të letrës dhe prodhimit të kutijave të kartonit për ambalazhe, ndërmarrja e dytë që drejtohet çdo ditë dhe orë nga familja e Bardhyl dhe Elsa Baltëzës, biznesmenëve punëtorë nga Durrësi.ch/
KOMENTE