Tiranë, 13 maj, NOA Update – “Faleminderit Berishës që respekton të drejtën e protestës sonë, por ai duhet të respektojë të drejtën e transparencës”, u ka thënë sot protestuesve të opozitës, kreu i Partisë Socialiste Edi Rama.
Sipas tij, “askujt të mos i shkojë mendja se ne mund të sprapsemi dhe të dorëzohemi. Nuk duam pushtetin në tavolinë, por duam që në tavolinë të bëhet transparenca në mënyrë që pushteti të mos burojë nga pushteti i vetvetes”.
Për kreun e PS-së, ky është një pushtet që mbetet në kërkim pasi ka grabitur votat për të grabitur shqiptarët, ka grabitur ekonominë dhe demokracinë.
Gjithashtu, ai ripërsëriti se opozita nuk do të ndalet nga protesta derisa sa të fitojë të drejtën elementare të transparencës.
“Eshtë koha të bëjnë transparencë dhe të kuptojmë se kështu nuk mund të vazhdohet më dhe se kemi nevojë për rregulla të reja”, theksoi ai ndër të tjera.
Në fund, u ka bërë thirrje qytetarëve të mblidhen nesër në orën 18:00 në bulevard në mbështetje të gjithë grevistëve që sipas tij po sakrifikojnë për lirinë dhe demokracinë e shqiptarëve.
“Ejani nesër në orën 6 këtu, sepse bëhen dy javë nesër nga ngritja e kësaj çadre dhe se në këtë çadër është edhe Elsa Lila. Ejani këtu për të parë stërmundimin e njerëzve që duan të zbulojnë të vërtetat”, përfundoi kreu i PS-së.
n.e/NOA