Rusi - Aksidenti Në Minierë - Arrin Në 66 Bilanci I Të Vdekurve Dhe Pezullohen Kërkimet
MOSKË, 13 maj /ATSH-AFP/ - Bilanci i shpërthimit të dyfishtë të gazit në minierën më të madhe të qymyrit në Rusi arriti në 66 të vdekur dhe operacionet e ndihmës u pezulluan si masë sigurie, deklaroi sot një zyrtar i Ministrisë ruse të Situatave të Emergjencës.
Në mëngjes, skuadrat e shpëtimit gjetën gjashtë trupa të tjerë në minierën Raspadskaia, në Siberi.
"Tashmë bilanci është 66 të vdekur. Njëzetë e katër persona konsiderohen ende të zhdukur", deklaroi kreu i ekspertëve ushtarakë në Ministrinë e Situatave të Emergjencës, Pavel Plat, i cituar nga agjencia Interfax.
Bilanci i mëparshëm i tragjedisë që ndodhi të shtunën në minierën Raspadskaia ishte 60 të vdekur dhe 30 të zhdukur.
Operacionet e ndihmës u pezulluan. Ato mund të rifillojnë në orën 20:00 GMT, vazhdoi ministria.
"Situata është keqësuar dukshëm. Përqendrimi i metanit e kalon normën e autorizuar prej 7 për qind. Operacionet e ndihmës janë pezulluar", bëri të ditur Plat.
Sipas tij, disa zjarre kanë shpërthyer në fundin e minierës që ndodhej në rajonin Kemerovo.
"Të gjitha operacionet e ndihmës do të pezullohen deri sa situata të përmirësohet", theksoi Plat.
Shpërthimi i parë i gazit në këtë minierë, që ndodhet në pellgun minerar Kuzbas, 3 000 kilometra në lindje të Moskës, ndodhi të shtunën në mbrëmje në çastin kur atje ndodheshin 370 minatorë. Shpërthimi i dytë, më i fuqishëm, ndodhi disa orë më vonë pas mbërritjes së ekipeve të para të shpëtimit.
/I.Pu.