English

Selmani-Fuere: Marrëveshja e Ohrit, të implementohet në mënyrë të drejtë

Shkup, 13 maj, NOA - Në vazhdën e takimeve me përfaqësues të komunitetit ndërkombëtar në Shkup, kryetari i Demokracisë së Re, Imer Selmani, realizoi një të tillë me ambasadorin e Bashkimit Evropian në Maqedoni, Ervan Fuere.

Bëhet me dijeni se gjatë këtij takimi, mes palëve u shkëmbyen mendime dhe qëndrime në lidhje me situatën aktuale politike në vend, ndërsa theks të veçantë i dhanë situatës së sigurisë.

Nga ana e tij, kryetari i DR-së e informoi ambasadorin Fuere për qëndrimet e kësaj force politike rreth çështjeve aktuale në vend dhe e informoi atë rreth iniciativave të ngritura prej saj në drejtim të implementimit të drejtë të Marrëveshjes së Ohrit, respektimit të karakterit multietnik dhe multikonfesional të vendit, si dhe integrimit të shpejtë të vendit në BE dhe NATO.

Selmani tha se qeveria duhet të mbajë përgjegjësi për situatën aktuale pasi përmes disa vendimeve dhe projekteve të njëpasnjëshme, posaçërisht gjatë vitit të fundit, ajo ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet ndëretnike dhe situatën e sigurisë në vend.

Ai shtoi se është i domosdoshëm revidim i buxhetit të shtetit, pasi ai aktual nuk ofron mundësi për investime kapitale edhe në vendbanimet ku kryesisht banojnë shqiptarët.

Ndërsa Fuere këshilloi Selmanin të insistojë që përmes dialogut dhe konsensusit ndërpartiak dhe ndëretnik të arrihet deri te zgjidhja e çështjeve që kanë shkaktuar tensione në marrëdhëniet ndëretnike.

Fuere kërkoi më tej, që liderët politik në vend të distancohen nga zgjidhja e problemeve përmes dhunës dhe konfliktit.

Ai ritheksoi qëndrimet e shprehura kohë më parë në deklaratën e përbashkët me ambasadorët tjerë, ku në mënyrë të prerë i është bërë apel qeverisë të shpreh angazhim më serioz drejt implementimit të shpejtë të Marrëveshjes së Ohrit, përmirësimit të marrëdhënieve ndëretnike dhe procesit të integrimeve euro-atlantike.

n.e/NOA

KOMENTE