Shba - Karzai U Bën Homazh Ushtarëve Amerikanë Të Rënë Në Afganistan
UASHINGTON, 13 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti afgan Hamid Karai vizitoi sot në mëngjes varrezën e madhe kombëtare të Arlingtonit, në Virxhinia, pranë Uashingtonit, ku prehen rreth 140 ushtarë amerikanë të rënë në Afganistan.
Në këtë varrezë ushtarake, me kryqe të bardhë të panumërt, ndodhen varet e më tepër se 300 000 personave. Ajo është e rezervuar për ushtarakët, për figura heroike të historisë amerikane si dhe për presidentë të Shteteve të Bashkuara dhe për gjykatës të Gjykatës së Lartë.
Karzai, i cili po zhvillon një vizitë katërditore në Shtetet e Bashkuara, shoqërohej nga sekretari amerikan për Mbrojtjen, Robert Gates, shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura Michael Mullen dhe komandanti i forcave të NATO-s në Afganistan, gjenerali Stanley McChrystal.
Presidenti afgan vizitoi gjithashtu të martën spitalin ushtarak "Walter Reed", në Uashington, ku ndodhen të plagosurit rëndë të kthyer nga fronti në Irak dhe Afganistan.
"U ndjeva shumë keq kur takova një djalë të ri, shumë të ri, i cili kishte humbur krahët dhe këmbët, tregoi Karzai në një konferencë shtypi përkrah presidentit amerikan Barack Obama.
"Ishte e vështirë, atje kishte shumë të plagosur, si ata që shoh në Afganistan", vazhdoi ai. "Kjo tregon angazhimin e Shteteve të Bashkuara ndaj sigurisë së Afganistanit dhe misionin e vështirë që na pret për t'u dhënë brezave të ardhshëm një jetë më të mirë dhe më të sigurt", deklaroi ai.
/I.Pu.