Shkodër: Sportistët Dhe Artistët, Peticion Për Ndalimin E Grevës Së Urisë
SHKODËR, 13 Maj/ATSH-G. Marku/ - Një grup sportistësh dhe artistësh shkodranë i janë drejtuar të enjten me një petiocion kryetarit të Partisë Socialiste, të cilët e konsiderojnë grevën e urisë të disa deputetëve dhe përkrahsve të kësaj partie, që zhvillohet prej rreth dy javësh në Tiranë, si pengesë për proceset integruese të vendit në Bashkimin Europian.
"Zoti Rama, mos i pengoni shqiptarët të shkojnë drejt Europës," thuhet në peticionin e firmosur nga emrat më të njohur të artit dhe sportit në Shkodër.
"Shqipëria dhe çështja kombëtare nuk kanë nevojë për kriza," thuhet më tej në peticion, sidomos, "tani që de fakto jemi fare pranë këtij antarësimi".
Peticioni bën apel që "të bashkohen të gjithë aktorët e politikës shqiptare për ta realizuar një ëndërr të të gjitha brezave."
Në listën e nënshkruar nga sportistët bëjnë pjesë drejtues të klubit shkodran, trajnerë, specialistë, sportistë e veteranë të sportit dhe një numër artistësh nga më të njohurit në qytetin e Shkodrës./ch/