Shqipëria E Angazhuar Për Të Përmbushur Detyrimet Për Të Qënë Pjesë E Familjes Europiane
-Deklaron Presidenti Bamir Topi gjatë takimit me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO), Peter Feith-
TIRANE 13 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Shqipëria është e angazhuar për të përmbushur me sukses të gjitha detyrimet, që burojnë nga apirata dhe përpjekjet për realizimin e ëndrrës të të gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane, deklaroi sot presidenti Bamir Topi.
Gjatë një takimi në Tiranë me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian dhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar (ICO), Peter Feith, Kreu i Shtetit, Topi shprehu vullnetin e plotë dhe angazhimin serioz të shtetit shqiptar për të përmbushur me sukses të gjitha detyrimet, që burojnë nga apirata dhe përpjekjet për realizimin e ëndrrës të të gjithë shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane.
Në këtë kontekst, Presidenti Topi u shpreh se "përshpejtimi i procesit të liberalizimit të vizave të Shqipërisë me BE-në do të ishte një hap i rëndësishëm dhe thelbësor për ne, i cili do të kontribuonte pozitivisht në zhvillimet shoqërore e ekonomike në vend".
Në vijim të bisedës, Kreu i Shtetit u ndal dhe në situatën në rajonin e Ballkanit dhe në veçanti vlerësoi arritjet e Kosovës që prej shpalljes së pavarësisë dhe ecurinë e deritanishme të procesit të njohjes së saj.
"Pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme dhe njohjet e mëtejshme të pandalshme", deklaroi Topi. Në këtë drejtim ai shtoi se Shqipëria vlerëson dhe mbështet institucionet e Republikës së Kosovës, përkushtimin dhe angazhimin e autoriteteve zyrtare për të bashkëpunuar me praninë ndërkombëtare në Kosovë, me synim konsolidimin e shtetit, forcimin e sundimit të ligjit në të gjithë territorin e Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian të saj.
Palët ndanë të njëjtën pikëpamje përsa i përket rëndësisë së qëndrueshmërisë dhe paqes në rajon nëpërmjet bashkëpunimit në rritje dhe kontakteve sa më frekuente mes udhëheqësve politikë si dhe zhvillimit ekonomik, duke synuar integrimin e të gjithë vendeve dhe popujve të rajonit në gjirin e familjes evropiane.
Nga ana e tij, Feith shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin në emër të Kosovës dhe popullit kosovar për mbështetjen e vazhdueshme që Shqipëria ka dhënë, sidomos gjatë procesit të njohjeve ndërkombëtare.
"Përpjekjet profesionale të qeverisë tuaj, ne i vlerësojmë jashtëzakonisht shumë për rritjen e numrit të njohjeve të reja.", deklaroi Feith.
Më tej, ai nënvizoi faktin se "Kosova pret nga Shqipëria bashkëpunim të ngushtë ekonomik", dhe në këtë drejtim vlerësoi Feith, "rruga që lidh dy vendet fqinje është një investim i rëndësishëm historik"./n.m/