Tiranë, 13 Maj 2010 NOA - Gjykata e Rrethit të Tiranës ka vlerësuar sot masën e sigurisë “arrest me burg” për tetë të pandehurit e akuzuar për veprën penale të “mashtrimit” me biletat e udhëtimit. Dy prej të pandehurve, Elisabeta Bengasi dhe Arjan Troka nuk i kanë pranuar akuzat e tyre, ndërsa të pandehurit e tjerë nuk kanë dhënë shpjegime.
Mbrojtësit kanë kërkuar vlerësimin e një mase sigurie më të butë, ndërsa prokuroria masën e “arrestit me burg”, e vendosur tre ditë më parë po kjo Gjykata e Tiranës në mungesë.
Të pandehurit janë Zenel Buzhala, 39-vjeç, Ken Kormani, 45-vjeç, Arjan Troka, 38-vjeç, Ilir Arapi, 45-vjeç, Erjon Jaupllari, 22-vjeç, Etleva Minxhozi, 44-vjeç, Elizabeta Bengasi, 26-vjeç, Flora Nikaj, 33-vjeç.
Sipas hetimeve të pandehurit Ilir Arapi, Erjon Jaupllari, Etleva Minxhozi, Elisabeta Bengasi dhe Flora Nikaj, me detyrë presidentë e punonjës të agjencive të udhëtimit dyshohet se kishin rënë dakord bashkë me shtetasit kosovarë, Zenel Bushala dhe Ken Kormani, që kartat e tyre të kreditit t’i këmbenin me lekët e klientëve dhe paratë t’i ndanin në pjesë të barabarta.
Kur një klient paraqitej për të blerë një biletë, ata i merrnin paratë duke i premtuar se po i prenotonin biletën e udhëtimit.
Më pas lajmëronin të pandehurin Troka, i cili komunikonte me Bushalën dhe Kormanin të cilët merreshin me klonimin e kartave të shtetasve të huaj, ku edhe më pas bënin vjedhjen e llogarive bankare, që më pas i përdorin për blerjen e biletave.
r.n/NOA - Më shumë mbi argumentin:
“Concord”, detajet e krimit të së ardhmes