Tiranë, 13 maj, NOA – “Ilir Meta shkoi në qeverinë e Berishës gjoja për të shpëtuar kombin, por ka ardhur koha që ai të largohet prej saj që të shpëtojë veten”.
Me një deklaratë të tillë, kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi i është drejtuar numrit dy të qeverisë, Ilir Meta, nga sheshi i protestës së përditshme të opozitës para godinës së Kryeministrisë.
Më tej, ai i ka bërë thirrje edhe presidentit të Republikës, Bamir Topi, që të reagojë në lidhje me zgjidhjen e situatës së rënduar politike në vend, pasi sipas tij, është koha që ai të mbrojë Kushtetutën e vendit.
Në fund, u ka bërë thirrje opozitarëve që nesër të jenë të gjithë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në atë që ai e quajti “Festa e fitores”.
“Nesër festa jonë e fitores mbi qeverinë e Berishës”, tha kreu i socialdemokratëve.
n.e/NOA