English

Socialistët në ditën e 13 të grevës së urisë

Tiranë, 13 maj, NOA – Socialistët janë futur sot në ditën e 13 të grevës së urisë, të cilën e kanë zgjedhur që prej mbrëmjes së 30 prillit, si formën ekstreme për të kërkuar me çdo kusht atë që e kanë quajtur transparencë e procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit.

Ndërkaq, gjendja e 22 deputetëve socialistë dhe 180 mbështetësve të tyre që ndodhen në çadrën e grevës së urisë, sa vjen dhe rëndohet, në një kohë që po arrin në 30 numri i atyre që i drejtohen në mënyrë urgjente spitalit për të marrë ndihmë mjekësore.

Dje, siç bëri me dijeni vetë kryesocialisti Rama gjatë fjalimit të përnatshëm para protestuesve të opozitës, u është rikthyer mjediseve të grevës së urisë, kreu i PS për degën e Tiranës, Besnik Bare i cili u nis për në spital para tre ditësh pasi paraqitej në gjendje jo të mirë shëndetësore.

Nga ana tjetër, protestues të rretheve të ndryshme të vendit, kanë nisur të bllokojnë rrugën nacionale, duke nisur të realizojnë atë skenar që ata kishin përmendur edhe më parë, për mosbindje civile.

Por Partia Socialiste ndër të tjera, ka bërë thirrje edhe për një protestë të madhe që do të zhvillohet nesër në kryeqytet, ku sipas saj do të bllokohet gjithë Tirana dhe ka për të qenë madhështore.

n.e/NOA

KOMENTE