Tiranë, 13 maj, NOA - “Grevistët që shkuan në spital, janë të plagosurit tanë”. Kështu i ka cilësuar gjatë fjalimit të tij të radhës, kreu i partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, rreth 30 grevistë të Partisë Socialiste të cilët iu janë drejtuar këto ditë dyerve të spitaleve në gjendje të rënduar shëndetësore.
Më tej, ai sqaroi se cilat janë edhe arsyet e vërteta të kësaj greve, duke pohuar se “nuk po kërkohet as marrja e pushtetit dhe as pavarësia e Shqipërisë, se ne e kemi fituar atë, por po kërkohet liria e popullit shqiptar dhe dinjiteti i tij”, bëri me dije Ngjela.
Më tej, ka shtuar se “nëse kjo betejë nuk fitohet nga opozita, nuk ka më të ardhme për shqiptarët, e këtë ta dinë mirë miqtë dhe armiqtë tanë”.
“Të jemi dinjitozë përballë lirisë dhe nesër do t’i japim orët e fundit kryeministrit dhe kësaj qeverie. Do t’i hapë apo jo kutitë, kjo do varet nga forca jonë”, bëri me dije ndër të tjera Ngjela.
n.e/NOA