Sport-Futbol/ Vllaznia Përjashton Futbollistin Anglez Xhejms Feniks
SHKODËR, 13 Maj/ATSH-G. Marku/- Ekipi i Vllaznisë përjashoi sot futbollistin anglez Xhejms Feniks nga radhët e tij. Shefi i klubit të futbollit Vllaznia, Agim Medja, tha për ATSH-në se "pas një mbledhjeje të zhvilluar nga ana e kryesisë së tij, Klubi i Futbollit Vllaznia ka vendosur përjashtimin e futbollistit anglez Xhejms Feniks dhe dënimin e tij me shumën e 10 mijë eurove".
Sipas tij, shkak i këtij vendimi ka qënë thyerja e disiplinës për të disatën here nga ana e këtij futbollisti. "Ky futbollist për këto veprime, më parë është ndëshkuar me shuma të vogla financiare", tha Medja.
Por, sipas tij, problemet me këtë lojtar kanë vazhduar edhe sot kur Feniks ka munguar në stërvitje me pretendimin se ka probleme me gjurin e dëmtuar. "Stafi mjekësor e ka ekzaminuar dhe nuk rezulton të ketë asnjë lloj dëmtimi. Kështu, klubi ka vendosur të mos merret më me këtë futbollist, ndaj të cilit është toleruar shumë sepse mendohej të ishte i rëndësishëm për skuadrën në këtë fund sezoni", përfundoi shefi i klubit të futbollit Vllaznia, Agim Medja./gj.m/