Sport-Futboll/ Hamdi Salihi Premton Besnikëri Ndaj Rapidit, Por Kërkon Më Tepër Aktivizim
TIRANË, 13 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Futbollisti i kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi, ka shprehur mosaprovimin e tij për zgjedhjen e trajnerit të Rapidit, Peter Pakult, që e ka mbajtur si zëvendësues për pjesën më të madhe të sezonit.
"Prisja shumë më shumë aktivizime gjatë këtij kampionati, pasi kur kam ardhur këtu kam shënuar gola dhe mendova se do të zë vend në 11-shin titullar. Në pjesën e dytë të kampionatit kam luajtur në disa pozicione në ekip, më pëlqente në fillim, por pastaj gjërat ndryshuan dhe dëshiroja të luaj nga minuta e parë', ka thënë Salihi për mediat austriake.
Megjithatë, sulmuesi shkodran ka shtuar se nuk dëshiron të largohet nga skuadra e Rapidit. "Jam i lumtur tek Rapidi, pasi është skuadër e madhe dhe lufton gjithnjë për titull. Kam kontratë tre vjet dhe do ta respektoj deri në fund. Nuk dëshiroj të kthehem sërish te Ried, edhe pse ekziston dëshira e adhuruesve të kësaj skuadre", tha Salihi.
/s.s./