Sport-Superliga/ Tirana - Dinamo, Derbi Pa Objektiva
- Blutë e kanë siguruar titullin e 18-të prej disa javësh. Dinamo i ka fituar të dyja takimet e fundit me Tiranën më të njëjtin rezultat: 2-1-
TIRANË, 13 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Derbi i nesërm, Tirana - Dinamo, është një sfidë direkte midis ish-kampiones (sezoni 2008-2009), Tiranës dhe kampiones së re (2009-2010), Dinamos.
Tirana i ka humbur të dyja ndeshjet sezonale me blutë: me të njëjtin rezultat 2-1. Tirana ka nevojë për fitore për të zyrtarizuar të paktën vendin e katërt, përpara se të përballet në javën e fundit në Korçë ndaj një Skënderbeu që kërkon maksimumin.
Dinamo synon për të bërë më në fund një ndeshje të vërtetë, përpara se të përballet në ndeshjen e fundit me Besën, ku në përfundim të takimit do të ngrejë zyrtarisht edhe trofeun e kampionit.
Blutë, që e kanë siguruar titullin (të 18-in e tyre) prej disa javësh, vijnë në përballjen me 24-herë kampionët e Shqipërisë, pas një serie prej shtatë humbjesh rresht (e fundit 4-2 me Laçin) e që ka komprometuar në sytë e specialistëve dhe publikut atë dominim absolut gjatë dy fazave të para të Dinamos.
Përpara përballjes së tretë sezonale, Dinamo e vendit të parë, 58 pikë, ka krijuar një diferencë të qartë prej 10 pikësh me Tiranën e vendit të katërt, 48 pikë.
Trajneri i Dinamos, Shkëlqim Muça (tekniku i 11-të që ka fituar një titull me blutë),u shpreh sot se "po e përgatis skuadrën për ta fituar ndeshjen. Ne nuk jemi në presionin e rezultatit, sepse i kemi realizuar objektivat tona. Edhe Tirana nuk e ka presionin e rezultatit, ndonëse i ka mbetur një dhjetë përqindësh. Kjo ndeshje është për prestigj"./s.s./