Sport-Tenis/ Rezultate Negative Për Përfaqësuesen Shqiptare Në "Kupën Davis"
TIRANË, 13 Maj /ATSH- Gjergji Mima/ - Aventura e përfaqësueses shqiptare të Tenisit në "Kupën Davis", që po zhvillohet në Athinë që nga data 10 maj, nuk po rezulton e suksesshme.
Në tre takimet e para Shqipëria është mposhtur nga Greqia, Moldavia dhe Mali i Zi. Të treja ndeshjet u mbyllën me rezultatin 3-0, ku tenistët shqiptarë nuk kanë arritur të fitojnë asnjë takim si në ndeshjet teke, edhe në ndeshjet dyshe.
Sot, Shqipëria u mposht edhe nga Mali i Zi në një takim pa shumë histori, ku në ndeshjen e parë tenisti shqiptar, Hysenbegasi u mposht në dy sete 6-0 dhe 6-1 nga rivali malazez Celebiç. Në takimin e dytë tenisti shqiptar Çakçiri humbi në dy sete me rivalin malazez Kontiç 6-3, 6-3. Ndërsa në ndeshjen dyshe, tenistët shqiptar Deçe dhe Istrefi u mposhtën 7-5, 6-0 nga dyshja malazeze Kontiç/Celebiç.
Nesër Shqipëria do të luajë ndaj Armenisë dhe në ndeshjen e fundit do të luajë ndaj San Marinos.
Kjo është hera e parë që Shqipëria merr pjesë në "Kupën Davis", një turne ndërkombëtar që zhvillohet në nivel ekipor për meshkuj dhe e liçencuar nga Federata Botërore e Tenisit (ITF). Shqipëria ndodhet në grupin B të zonës së tretë evropiane së bashku me Armeninë, Greqinë, Moldavinë, Malin e Zi dhe San Marinon.
Shteti me më shumë trofe të fituara në historinë e "Kupës Devis" është Amerika, plot 32 të tillë, e ndjekur në vend të dytë nga Australia, e cila e ka fituar 28 herë këtë trofe. Kampionia në fuqi e "Kupës Devis" është kombëtarja spanjolle. Sezonin e kaluar iberikët mundën në finale përfaqësuesen amerikane./s.s./