Tiranë, 13 maj, NOA Update - Së bashku me strategjinë për mbetjet urbane, ministria e Mjedisit po punon që ta shoqërojë atë edhe me disa ligje të rëndësishme, duke përmirësuar në këtë mënyrë kuadrin ligjor ekzistues në Shqipëri për trajtimin e mbetjeve urbane si një kusht themeltar i Bashkimit Evropian.
Këtë fakt e ka bërë me dijeni ministri i Mjedisit Fatmir Mediu, ndërsa ka paraqitur piketat kryesore të plan-veprimit që duhet të ndërmerret në vend lidhur me trajtimin dhe menaxhimin e mbetjeve urbane.
“Njëri prej këtyre ligjeve është ai i mbrojtjes së mjedisit, si edhe ligji për lejet mjedisore, por dhe ai për ndikimin në mjedis që do përmirësojnë kuadrin ligjor në vend për trajtimin e mbetjeve”, tha ndër të tjera ministri Mediu.
Sipas tij, ky proces është kthyer tani edhe në një prioritet për qeverinë, e cila ka ngritur edhe një Task Force, shoqëruar me një plan veprimi përkatës.
n.e/NOA