English

Studentët Pro Grevës, mbledhin firma për të mbështetur grevistët e PS

Tiranë, 13 maj, NOA - Nën emrin “Studentët Pro Grevës”, një grupim i studentëve të Universitetit të Tiranës, ka nisur të mbledhë firma në mbështetje të grevistëve socialistë të urisë që prej 13 ditësh janë ngujuar poshtë zyrës së kryeministrit.

“Ne jemi një grup studentesh, që kemi marrë iniciativën për të dërguar një letër të hapur drejtuar opinionit publik, ku kemi mbledhur deri tani firmat e rreth 250 studentëve në fakultete të ndryshme të Tiranës, por mbledhja e firmave do të vazhdoje edhe gjatë orëve në vijim”, citojnë krerët e këtij grupimi.

Ata pohojnë ndër të tjera se “ndiejnë detyrimin moral për t’u drejtuar me një letër të hapur, pasi janë të shqetësuar për mungesën e dëshirës për të bashkëbiseduar, toleruar, dëgjuar kur 200 qytetarë të këtij vendi, vazhdojnë të ngujuar në çadra prej 13 ditësh në indiference të plotë, për një kauzë më të madhe se interesat e tyre individuale”.

“Përtej kampeve e ngjyrave politike, ne flasim në emër të idealit të paqes, të idealit të prosperitetit, të idealit që nuk pranon indiferencën qeveritare, ne flasim në emër të qytetarëve si unë dhe ti, me profesione, moshë, gjini, statuse të ndryshëm socialë, por më një ëndërr dhe dashuri të përbashkët: një Shqipëri të qetë e të begatë...”, përfundon ketra e grupimit “Studentët Pro Grevës” nga Universiteti i Tiranës.

n.e/NOA

KOMENTE