Tiranë, 13 maj, NOA - Epidemia e Ballshit mund të përsëritet në kryeqytet nëse nuk merren masa për të ndërhyrë në rrjetin e Ujësjellësit.
Alarmi jepet nga drejtoria e shëndetit publik të Tiranës e cila ka vërejtur ndotje bakteriale të ujit të pijshëm në 5 zona të Tiranës, në Rrugën e Durrësit, ku ndotja është përsëritur tre herë gjatë muajit prill, në rrugën “Thanas Ziko”, në Rrugën Bardhyl, në sheshin “Avni Rustemi” dhe në “Tiranën e Re”.
Sipas inspektorit sanitar, Sazan Skuka, situata paraqitet më problematike, në zonën pranë sheshit “Avni Rustemi”, ku ndotja është përsëritur 6 herë gjatë muajit prill.
“Nga 913 analiza që kryejmë çdo muaj, pas marrjes së mostrave të ujit në 31 pika fundore në rrjetin e Ujësjellësit në Tiranë, 41 analiza treguan se ka ndotje bakteriale në 5 zona, por duhet theksuar se nuk ka pasur vazhdimësi. Ajo që vlen të theksohet është fakti se uji që del nga depot është i pastër por ndotja vihet re në rrjetin shpërndarës si pasojë e ndërhyrjeve të shumta të qytetarëve”, shprehet specialisti.
Në lidhje me sasinë e klorit në ujë, drejtoria e shëndetit publik vëren se ajo është respektuar nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës.
Po sot në ministrinë e Shëndetësisë, ministri Petrit Vasili ka mbledhur drejtorët e drejtorive të shëndetit publik në rrethe ku u ka komunikuar udhëzimin për shtimin e dozës së klorit në rrjetin e ujësjellësit, nga 0.5 miligramë deri në 1 miligramë. Në lidhje me epideminë e ujit në Ballsh, specialistët e ministrisë thanë dje se nga analizat u vu re se përveç ndotjes bakteriale, niveli i klorit në ujë ishte mjaft i ulët, rreth 0.1-02 miligramë.
b.a/NOA