English

"Vepra Të Zgjedhura"" E Nichita Stanescu Prezantohet Në Shqip

TIRANË, 13 Maj/ ATSH- Suada Daci/ -"Vepra të zgjedhura", një libër me poezi e poetit dhe eseistit rumun Nichita Stanescu (1933-1983), u promovua sot në mjediset e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. I konsideruar nga kritika letrare si një ndër shkrimtarët më të njohur që ka pasur gjuha rumune, Nichita Stanescu, për nga këndvështrimi i periudhës, strukturës dhe formës i përket poezisë moderniste ose post moderniste rumune të viteve 1960-1970, i cili nominohet gjithashtu edhe për Çmimin Nobel. Librin e ka sjellë në shqip kompozitori dhe muzikologu i njohur Sokol Shupo. Prezantimi i librit u bë i mundur nga Ambasada Rumune në Tiranë. "Gjatë punës më këtë libër jam munduar të ruaj ritmin e poezisë së Stanescut, i cili ka një ritëm shumë të veçantë dhe është shumë vështirë ta sjellësh në shqip", tha Shupo. Ai sqaroi se "nuk kam bërë përshtatje në gjuhën dhe jam munduar ta sjell në shqip ashtu siç e ka bërë autori, me veprën e të cilit jam njohur që në kohën kur isha student në Rumani" . Ndërsa drejtori i librit në MTKRS, Ermin Nika, tha se "lidhja kulturore mes Rumanisë dhe Shqipërisë ka nisur shumë herët, dhe është një kënaqësi që ta vazhdojmë ta ruajmë edhe me tej këtë shenjë që na ka karakterizuar për shumë vite". Duke u ndalur te botimi "Vepra të Zgjedhura" ai vlerësoi se "ky është një botim shumë serioz sepse t'i përmbahesh botimit origjinal është një sakrificë shumë e madhe". Atasheu Kulturor në Ambasadën Rumune në Tiranë, Mihai Tican, tha se "në Shqipëri ka pasur gjithmonë një interes për kulturën rumune, ndërsa këtë mbrëmje do të shtojmë një tjetër kontribut në historinë kulturore mes Rumanisë dhe Shqipërisë". "Paraqitja e vëllimit poetik "Vepra të Zgjedhura" nga krijimtaria e Stanescu bëhet në kuadër të veprimtarive për Ditën e Europës", u shpreh z.Tican, duke shtuar se "Shqipëria është një nga vendet me aspirante europiane në Ballkanin Perëndimor, dhe shpresoj që në një kohë sa më të shkurtër përpjekjet për integrim të shpërblehen me liberalizmin e vizave në mënyrë që qytetarët shqiptar të ndihen sa më afër Europës". Ai shtoi gjithashtu se "arti shërben si një mjet afrimi mes popujve dhe njerëzve dhe në këtë pikëpamje Nichita Stanescu është një nga ambasadorët më të shquar të Rumanisë, ashtu si ambasadorët e njohur shqiptarë që janë të dashur në Rumani si, Fan Noli, Lasgush Poradeci, Martin Camaj, Besnik Mustafaj, Xhevahir Spahiu, etj". Përkthyesi i këtij vëllimi, kompozitori dhe muzikologu Sokol Shupo ka lindur në vitin 1954 në Gjirokastër. Studimet e larta i kreu në Akademinë e Muzikës në Bukuresht. Diplomohet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe më pas kryen studime në shumta profesionale në Francë, Gjermani, etj. Vëllimi "Vepra të Zgjedhura" e Nichita Stanescut është një botim i parë më poezi bashkëkohore rumune, e cila do të ndiqet së shpejti nga një përmbledhjë poezish të poetes tjetër rumune, Ana Blandiana. /s.s./
KOMENTE