English

Vlorë: 15 Milionë Lekë Për Nxitjen E Punësimit

VLORË, 13 maj/ATSH-H.Koçi/ - 15 milionë lekë është fondi i akorduar nga Ministria e Punës, Përkrahjes Sociale dhe Shanseve të Barabarta për programin e nxitjes së punësimit për këtë vit në qytetin e Vlorës. Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Punësimit, Zhylien Papajorgji thotë për ATSH-në se, ky program synon krijimin e vendeve të reja të punës, duke financuar subjektet punëdhënëse dhe vetë individët që do të përfshihen në to. "Fondi i akorduar, subvecionon subjektet punëdhënëse për një periudhë 6 mujore, duke mbuluar 70 përqind të shpenzimeve për çdo vend pune, ndërsa personave që do të përfshihen në to, u garanton sigurimet shoqërore, shëndetësore dhe pagën për një periudhë 6-mujore, aq sa zgjat edhe kursi i kualifikimit të tyre", tha Papajorgji. Sipas tij, në fund të kësaj periudhe, mbi bazën e kontratës që do të nënshkruhet, subjektet në tërësi do të jenë të detyruara të punësojnë një pjesë të personave të përfshirë në program, sipas standardeve dhe profilit të kualifikimit të tyre. Ky program, që do të shtrihet në sektorët e ndërtimit, turizmit dhe konfeksioneve, synon të krijojë 251 vende të reja pune. Ndërkohë mjaft subjekte private kanë aplikuar për t'u bërë pjesë e tij. Programi i saponisur, është pjesë e politikave për krijimin e vendeve të reja të punës si dhe pakësuar në vazhdimësi nivelin e papunësisë. Aktualisht në qytetin e Vlorës numërohen 3800 punëkërkues të papunë, ndërsa krahasuar me vitin 2005, ky numër është 40 përqind më i ulët./ch/
KOMENTE