English

Volonte - Berisha: Transparenca të bëhet sipas Kushtetutës e gjykatave

Tiranë, 13 maj, NOA - Presidentin e grupit parlamentar të Partive Popullore të Evropës, në Këshillin e Evropës, Luca Volonte, deklaroi gjatë takimit me Kryeministri Sali Berisha se transparenca e zgjedhjeve duhet të bëhet duke u bazuar në Kushtetutë.

Në takimin e zhvilluar me kreun e qeverisë Berisha, Presidenti i grupit të PPE, Volonte rikonfirmoi qëndrimin e PPE, si dhe deklaratat e Këshillit të Europës për situatën politike në Shqipëri.

Në takimin me Kryeministrin Berisha, Luca Volonte e cilësoi këtë vizitë në kuadër të bashkëpunimit që qeveria shqiptare ka me Partitë Popullore, një forcë politike kryesore në Këshillin e Evropës.

“Gjatë këtij takimi ai rikonformoi edhe një herë qëndrimin e PPE dhe grupit parlamentar të tyre në KE, të cilët i qëndrojnë deklaratave të KE-së, për situatën politike në Shqipëri, si dhe në lidhje me transparencën, e cila duhet të bëhet e bazuar në Kushtetutë dhe në vendimet e gjykatave”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë për takimin.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha duke i uruar mirëseardhjen parlamentarit të lartë të Këshillit të Evropës, e informoi atë në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, por edhe për arritjet dhe rezultatet që ka pasur Shqipëria, si në zhvillimet e brendshme ashtu edhe në drejtim të integrimit evropian.

“Të gjitha këto zhvillime, kanë ardhur falë reformave serioze, përkushtimit dhe performancës të lartë të qeverisë dhe funksionimit të demokracisë në çdo hallkë të saj”, u shpreh Berisha.

Gjatë bisedës mes dy politikanëbe, Presidenti i grupit parlamentar të PPE-ve në Këshillin e Evropës përshëndeti të gjitha arritjet në Shqipëri, ku sipas tij funksionojnë institucione me një demokraci solide, si dhe një shtet ligjor mjaft të konsoliduar. Gjithashtu, Volonte vlerësoi si shumë të rëndësishme hapat para dhe të njëpasnjëshëm që po bën Shqipëria drejt integrimit në familjen Evropiane.

“Në përfundim të këtij takimi, Volonte theksoi se PPE dhe grupi i tyre parlamentar në KE, përshëndesin të gjithë angazhimin dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare, si dhe vullnetin e saj të padiskutueshëm në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit ligjor, si dhe të parimeve të KE-së ndaj funksionimit të shtetit ligjor”, njofton zyra e shtypit e Kryeministrit në lidhje me takimin.

m.xh/NOA

KOMENTE