Volonte- Berishes: Transparenca Duhet Bere E Bazuar Ne Kushtetute Dhe Ne Vendimet E Gjykatave
- Kryeministri Berisha pret presidentin e grupit parlamentar te PPE ne Keshillin e Evropes, Luca Volonte -
TIRANE, 13 Maj/ATSH/. - Presidenti i grupit parlamentar të Partive Popullore të Evropës në Këshillin e Evropës, Luca Volonte rikonformoi edhe njëherë sot në Tiranë gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, qëndrimin e PPE dhe grupit të tyre parlamentar në KE, se i qëndrojnë deklaratave të KE-së për situatën politike në Shqipëri si dhe për transparencën, e cila duhet të bëhet e bazuar në Kushtetutë dhe në vendimet e gjykatave.
Sipas zyres se Shtypit te Kryeministrise, Luca Volonte e cilësoi këtë vizitë në kuadër të bashkëpunimit që qeveria shqiptare ka me Partitë Popullore, një forcë politike kryesore në Këshillin e Evropës.
Kryeministri Berisha, duke i uruar mirëseardhjen parlamentarit të lartë të Këshillit të Evropës, e informoi në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, si dhe arritjet e rezultatet që ka pasur Shqipëria, si në zhvillimet e brendshme ashtu edhe në drejtim të integrimit evropian.
Të gjitha këto zhvillime, theksoi kryeministri Berisha, kanë ardhur falë reformave serioze, përkushtimit dhe performancës të lartë të qeverisë dhe funksionimit të demokracisë në çdo hallkë të saj.
Presidenti i grupit parlamentar të PPE-ve në Këshillin e Evropës, Volonte përshëndeti të gjitha arritjet në Shqipëri, ku sipas tij, funksionojnë institucione me një demokraci solide, si dhe një shtet ligjor mjaft i konsoliduar.
Volonte vlerësoi si shumë të rëndësishme hapat e njëpasnjëshëm që po bën Shqipëria drejt integrimit në familjen Evropiane.
Në përfundim të takimit, ai theksoi se PPE dhe grupi i tyre parlamentar në KE, përshëndesin gjithë angazhimin dhe qëndrimin e qeverisë shqiptare dhe vullnetin e saj të padiskutueshëm në mbrojtjen dhe forcimin e shtetit ligjor, si dhe të parimeve të KE-së ndaj funksionimit të shtetit ligjor. /a.ke/