Volonte: Veprimet E Ramës Janë Në Kundërshtim Me Kërkesat E Këshillit Të Europës
- Presidenti i PPE-së në Këshillin e Europës, Volonte thotë se ideja e PS-së për bllokimin e qarkullimit rrugor është kundër çdo norme civile që ekziston në të gjitha vendet demokratike -
TIRANË, 13 Maj/ATSH/.- "Veprimet e Edi Ramës janë kontradiktore me ato që i ka kërkuar Këshilli i Europës", tha sot Luca Volontè, President i Partive Popullore Europiane në Këshillin e Europës dhe anëtar i Komitetit Presidencial të PACE-s në takimin me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli.
Sipas zyrës së shtypit pranë Kuvendit, gjatë takimit, Kryetarja Topalli tha se "qeveria mbështet tërësisht deklaratat e Komitetit Presidencial dhe deklaratën e Byrosë së Këshillit të Europës, bërë para pak ditësh për Shqipërinë".
Duke folur rreth situatës më të fundit në Shqipëri, Presidenti Volonte i konsideroi krejtësisht të pajustifikueshme veprimet e kryesocialistit Edi Rama në këto muajt e fundit.
"Rama po gabon dhe në planin institucional, pasi po jep përgjigje kotradiktore me atë që i ka kërkuar KiE. Asambleja parlamentare ka thënë që debati bëhet në parlament dhe bojkoti është i papranueshëm. Insiativa e grevës së urisë ështe në kundërshitim me atë që ka deklaruar se do të bëjë", tha z. Volonte.
Presidenti Volonte tha se "ideja për të bllokuar qarkullimin rrugor në Tiranë dhe për të bllokuar qarkullimin në qytete të tjera është kundër çdo norme civile që ekziston në të gjitha vendet demokratike".
"Kjo është grevë urie, e cila më thonë se as nuk ka lidhje me Ramën. Pra ai i ka futur të tjerët në grevë urie dhe vetë, bashkë me disa krerë të partisë, nuk ka hyrë në grevë. Kjo është diçka qesharake. Kjo mënyrë sjellje është sterile, pa rezultat, që prodhon probleme të mëdha për qytetarët, ashtu siç mund të prodhojë dëme të mëdha ndërkombëtare. Nuk besoj se do i shërbejë as për publicitet Ramës, duke parë se janë përpara zgjedhjet e ardhshme lokale", tha Volonte.
Presidenti Volonte u shpreh se "kjo që po ndodh, s'kualifikon totalisht opozitën", ndaj kërkoi që Partia Socialiste të tregojë sens përgjegjësie dhe të ndjekë udhëzimet e dhëna nga Këshilli i Europës, duke marrë pjesë në Kuvend dhe duke kontribuar në përpjekjet e gjithë vendit për integrim.
Në Shqipëri, sipas z. Volonte, "demokracia funksionon shumë mirë dhe vendi po zhvillohet me ritme shumë të rëndësishme në një periudhe krize globale si kjo".
"Shpresojmë që të jepet sa më shpejt një vendim në favor të Shqiperisë për liberalizimin e vizave dhe shpresojmë që Shqipëria të jetë sa më shpejt në Europë", tha z. Volonte./m.m//n.m/