English

Berisha: Berzh Të Intesifikojë Kreditë Për Sektorin Privat Në Shqipëri

- Kryeministri Berisha mori pjesë në Takimin e 19-të vjetor të BERZH-it të zhvilluar në Kroaci - TIRANË, 14 Maj/ATSH/.- Kryeministri Sali Berisha kërkoi sot, që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) të intensifikojë kreditë për sektorin privat në Shqipëri, si dhe të financojë në parqe industriale dhe në sektorët të cilët krijojnë punësim të madh. Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kreu i Qeverisë mori pjesë sot në takimin e 19-të vjetor të BERZH-it të zhvilluar në Zagreb, Kroaci. Kryeministri vlerësoi se BERZH-i është një partner i shkëlqyer i Shqipërisë dhe gjatë këtyre viteve ka investuar më shumë se gjysmë miliardi euro në vend. "Ky organizëm ka arritur të mobilizojë edhe 1.5 miliardë euro nga faktorë të tjerë në Shqipëri", tha ai. Duke i'u përgjigjur interesimit të mediave lidhur me zhvillimin e këtij aktiviteti, si dhe përfaqësimin e Shqipërisë, kryeministri Berisha u shpreh se "në takim u diskutua gjerësisht për problemet e zhvillimeve ekonomike në rajon". "Unë njoha të pranishmit me përpjekjet e mëdha të qeverisë shqiptare për të parandaluar ose për të zvogëluar, pasojat e një krize globale të paprecedentë, që nga vitet '30 të shekullit të shkuar. Disa nga pasojat e shfaqura nga fundi i vitit 2008 deri në vitin 2009, tani po zhduken tërësisht ose janë në zhdukje e sipër", tha Kryeministri Berisha. Shqipëria ka një dyfishim të eksporteve të prodhuara në vend, tha Kryeministri, duke nënvizuar se "një nga këshillat kryesore është që këto vende duhet të nxisin prodhimin, si një mbrojtje ndaj krizës". Duke u ndalur te situata e sistemit bankar shqiptar, Kryeministri Berisha theksoi se "është një situatë realisht pozitive dhe bankat tona janë plotësisht likuide". "Raporti kredi dhe depozita është 0.6 për qind, pra jo më shumë se 60 për qind e depozitave janë kredituar, çka do të thotë se është një ndër raportet më të mira", tha Kryeministri. Kreu i Qeverisë kërkoi që të ndihmohet për projekte rajonale, siç është korridori aziatik-jonian, korridori i 8-të, gazsjellësit e mëdhenj dhe projektet e tjera, të cilat i bëjnë shkëmbimet rajonale shumë më të mundshme. Në këtë takim të rëndësishëm morën pjesë rreth 2000 pjesëmarrës nga e gjithë bota, të cilët diskutuan mbi politikat më të fundit ekonomike dhe sociale, mbi mundësitë e investimeve në vendet ku operon BERZH-i, si dhe në forcimin e lidhjeve dhe komunikimit mes vendeve pjesëmarrëse./m.m//a.gj./
KOMENTE