Bosch: Ekzistojnë Të Gjitha Mundësitë Për Kompromis Mes Palëve
E
TIRANË, 14 Maj /ATSH- Mira Shkurta/. - Ambasadori i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, u shpreh sot se ekzistojnë të gjitha mundësitë për gjetjen e kompromisit mes forcave politike për të dalë nga situata aktuale ku ndodhet Shqipëria.
Gjatë përurimit të shkollës 9 vjeçare në fshatin Gërdec, të bashkisë së Vorës, Ambasadori Bosch tha se "ka një mundësi shumë të mirë që politikanët të ulen në një tryezë dhe në emër të shumicës së ndërkombëtarëve, do t'i inkurajoja këta drejtues që të marrin kurajon tani, të tregojnë se janë burra shteti dhe të mos kenë parasysh interesin e tyre personal, por interesin e vendit, dhe të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të nxjerrë vehten dhe vendin nga kjo situatë".
"Është koha tani të hedhin hapin e madh, sepse më vonë nuk do të ketë më kohë për të gjetur zgjidhje", tha Ambasadori Bosch, duke shtuar se "në këtë kompromis ata do të kenë mbështetjen e OSBE-së, SHBA- së dhe Bashkimit Europian"./s.s./