Britani E Madhe - Cameron Kërkon "Marrëdhënie Të Angazhuara" Me Be-Në
LONDËR, 14 maj /ATSH-AFP/ - Kryeministri britanik David Cameron garantoi sot liderët evropianë se kërkon të mbajë "marrëdhënie konkrete dhe të angazhuara" me Brukselin, njoftuan shërbimet e tij, pas emërimit të një të moderuari në postin e sekretarit të Shtetit për Evropën.
Kryeministri konservator bisedoi në telefon me presidentin e Komisionit Evropian Jose Manuel Barroso dhe me presidentin e Bashkimit Evropian Herman Van Rompuy për problemet që i dalin përpara ekonomisë botërore dhe Evropës, bëri të ditur Downing Street.
Kryeministri përsëriti mbështetjen personale për një marrëdhënie konkrete dhe të angazhuar me Evropën dhe u shpreh se mezi pret të takohet me presidentin Van Rompuy dhe me presidentin Barroso në qershor gjatë mbledhjes së ardhshme të këshillit evropian.
David Cameron tregoi vullnetin për të zbutur marrëdhëniet e acaruara mes partisë së tij konservatore dhe BE-së duke emëruar David Lidington, një të moderuar, në postin e sekretarit të Shtetit për Evropën, theksonte sot shtypi britanik.
Ky emërim u interpretua gjithashtu nga media si një lëshim ndaj partisë së liberaldemokrate proevropiane të zëvendëskryeministrit liberaldemokrat Nick Clegg, me të cilin Cameron formoi një qeveri koalicioni.
"Lidington, 53 vjeç, pritet të bëjë gjithashtu balancimin e retorikës shumë euroskeptike" të ministrit të Jashtëm William Hague", nënvizon "Financial Times".
/I.Pu.