Tiranë, 14 maj, NOA Update – “U bëjnë thirrje liderëve politikë që të gjejnë një zgjidhje, e cila duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën shqiptare si edhe angazhimet që Shqipëria ka marrë në kuadrin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës”.
Ky ka qenë qëndrimi i mbajtur nga ministri i Jashtëm bullgar, Nickolay Mladenov, lidhur me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, në kuadrin e vizitës së tij zyrtare ndërmarrë në vendin tonë.
“Edhe ne si vend kemi kaluar vetë një proces të vështirë tranzicioni dhe sidomos në vitet ’90 ky ka qenë një proces tërësisht emocional. Por më lejoni t’u them se të dyja vendet tona, anëtare të NATO-s dhe Shqipëria që synon të integrohet në Bashkimin Evropian, duhet t’i zgjidhin problemet e brendshme bazuar në kushtetueshmërinë”, shtoi ai.
Më tej, kryediplomati bullgar bëri me dije faktin se “është shenjë pjekurie nëse arrihet një marrëveshje konsensuale për të ardhmen e vendit”.
Sipas tij, “suksesi i kësaj marrëveshje është që kriza të zgjidhet në parlament dhe jo në rrugë”.
Në fund, përfaqësuesi i Bullgarisë ka bërë me dije se shpresoj që në javët e ardhshme ky dialog mes opozitës dhe mazhorancës të arrihet, pasi “vetë detyrimet që Shqipëria ka marrë në kuadrin e angazhimit në NATO, kërkojnë që të përforcohet dialogu në të ardhmen mes palëve politike”.
a.y/NOA