English

Dritë dhe hije/ Bilanci i politikës së fqinjësisë të BE

Bruksel, 14 maj, NOA - Që prej pesë vjetësh BE-ja ndjek me fqinjët e saj lindorë dhe jugorë një politikë fqinjësie. Të mërkurën komisioni i BE-së në Bruksel bëri një bilanc të këtij bashkëpunimi.

Stefan Füle është komisari i BE-së për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë të BE-së dhe ky post i përbashkët është edhe një vendim politik, sepse BE do t'i konsiderojë këto dy aspekte së bashku.

Megjithatë Füle thekson se politika e fqinjësisë nuk do të thotë edhe anëtarësim në BE, sepse për këto vende perspektiva e anëtarësimit nuk shtrohet për diskutim në ndonjë afat të afërt. E megjithatë BE-ja është e interesuar për një bashkëpunim sa më të ngushtë.

Se sa i ngushtë mund të jetë ky bashkëpunim, kjo varet nga vendet vetë, ndërkohë që sipas fjalëve të Füles në këtë mes BE-ja vepron sipas interesave të saj: "Politika e fqinjësisë është instrumenti i vetëm i vërtetë që kemi në dorë për të forcuar stabilitetin dhe mirëqenien në vendet rreth nesh. Dhe ky është shumë më i lirë dhe më i efektshëm se sa të luftosh pasojat e shkatërrimit dhe një mungese të vazhdueshme stabiliteti në vendet përreth BE-së.“

Raporti i Komisionit të BE-së përfshin një periudhë pesë vjeçare. Procesi i afrimit të BE-së me vendet përreth nën etiketën " politika e fqinjësisë" filloi në vitin 2004, nën drejtimin e Benita Ferrero-Waldner, e cila qe asokohe komisare për zgjerimin e BE-së.

Që prej asaj kohe Stefan Füle thotë se janë bërë përparime të mëdha sidomos në fushën e tregtisë me shtetet fqinjë të BE-së në Lindje dhe Jug, por jo gjithçka është aq pozitive sa duket në pamje të parë: "Politika e fqinjësisë bazohet në vlera të përbashkëta dhe reforma për të cilat është rënë bashkarisht dakord në fushën politike. Në rast se shohim legjislacionet e këtyre vendeve lidhur me të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, atëhere vëmë re se këto pesë vjet rajoni është përmirësuar. Por zbatimi në praktikë ndesh në probleme."

Dhe këtë gjë duhet ta bëjnë vetë shtetet, BE-ja s'ka mjet tjetër në dorë vetëm se t'i nxisë ato përmes ndihmave financiare, lehtësimit të vizave apo lidhjes në tregun e brendshëm evropian. Kështu megjithë krizën ndihmat vjetore financiare për vendet fqinjë do të rriten nga sot 1,7 miliardë në 2 miliardë euro në vitin 2013. BE-ja e sheh një gjë të tillë edhe si një investim në të ardhmen.

Në lidhje me lehtësimin e regjimit të vizave Füle thotë se duhet zgjeruar më tej mundësia për lëvizjen legale të qytetarëve të vendeve fqinjë në vendet e BE-së, por BE duhet të mbajë parasysh edhe interesat e sigurisë së vendeve anëtare.

Rrethi i vendeve fqinjë të BE-së shtrihet nga Bjellorusia, Ukraina dhe Moldavia për të vazhduar në Lindje të BE-së me disa vende të Kaukazit dhe gjithë zonën lindore dhe jugore të bregdetit të Mesdheut përgjatë Sirisë deri në Marok. Parnter është edhe Autoriteti Palestinez i Autonomisë.

Sipas Füles bashkëpunimi me Marokun, Moldavinë dhe Ukrainën është shumë i mirë dhe këto vende i shfrytëzojnë ofertat e shumta. Me disa vende ky bashkëpunim nuk është shumë i mirë, sepse ato janë të mbyllura kundrejt BE-së. Füle sjell si shembull Sirinë:

"Nuk dua të nxjerr përfundime, por është fakt që ky partner një herë për një herë po bën pushim".

Me një udhëtim mundësisht në të gjitha vendet fqinje Füle do të përpiqet t'i nxisë marrëdhëniet dhe të vendosë të reja, sidomos me vendet e Bashkimit të Vendeve të Mesdheut problemi më i madh në marrëdhëniet me të cilat është konflikti në Lindjen e Mesme. Problematike janë edhe marrëdhëniet me Bjellorusinë me qeverinë e saj autokratike. Sa i përket Rusisë BE-ja i ka ofruar edhe asaj politikën e fqinjësisë, por Rusia nuk ka pranuar dhe që prej atëherë i ndjek me skepticizëm zhvillimet e mëtejshme.

Për këtë, Füle përsëriti edhe një herë se BE-ja nuk është duke ndjekur në Lindje një politikë ekspansioni në kurriz të Rusisë

"Ne nuk duam që në këtë rajon të lindë një konkurrencë mes Rusisë dhe BE-së, por bashkëpunim."

Por edhe pse Rusia nuk është pjesëtare e programit të fqinjësisë në tërësi, BE-ja është e interesuar për një kooperim në projekte të caktuara. Dera mbetet pra e hapur dhe nuk bëhet fjalë për ndonjë zgjedhje mes të gjithave ose asgjëje. Politika e fqinjësisë është një proces, theksoi Füle.

DVelle

KOMENTE