English

"Eagle Mobile" Ne Lezhe, Një Me Natyrën

TIRANE, 14 Maj/ATSH/- Kompania "Eagle Mobile" vijoi sot në Lezhë fushatën e aksionit që ka nisur për pastrimin e mjediseve në qytete të ndryshme, nën sloganin "Një me Natyrën". Drejtues të "Eagle Mobile", zyrtarë të lartë të ministrive të Arsimit dhe Mjedisit bashkë me më shumë se 200 nxënës pastruan 3 zona të ndryshme të qytetit të Lezhës, duke dhënë shembullin e tyre për qytetarët. Të pajisur me mjete pro-mjedisorë për pastrimin, mbledhjen dhe grumbullimin e hedhurinave, të rinjtë e shkollës së mesme "Hydajet Lezha" gjetën mbështetjen e qytetarëve lezhjanë. "Po punojmë për të sjellë një shembull për të gjithë për nxënësit dhe kompanitë e tjera në treg. Pak muaj më parë Eagle Mobile dhe Grupi Çalik me investimet në Shqipëri kontribuoi për të minimizuar dëmet e një fatkeqësie natyrore siç ishin përmbytjet në Shkodër dhe në një pjesë të Lezhës. Jemi sot këtu për ta mbrojtur natyrën nga pakujdesitë njerëzore", tha Ebru Demir, Drejtore e Divizionit të Kujdesit për Klientin në kompaninë "Eagle Mobile". Drejtues të Drejtorisë Arsimore dhe Mjedisit në Lezhë, Shpresa Hoxha dhe Edmond Ndreu falënderuan "Eagle Mobile" dhe shprehën dëshirën për shtrirjen e nismës edhe në zona të tjera të rrethit të Lezhës, si një nismë që ka impakt të madh në ndërgjegjësimin e qytetarëve. Fushata e Majit për "Eagle Mobile" do të vazhdojë më tëj edhe me qytete të tjera si Vlora, Tirana (qendër), Kamza dhe Pogradeci, ku do të japin kontributin e tyre fizik dhe drejtues të kompanisë krahas nxënësve të shkollave të mesme. "Eagle Mobile" e ka shpallur vitin 2010 si "Vit të Mjedisit" për kompaninë, duke zhvilluar projekte të ndryshme si mbjellje pemësh, restaurim parqesh, krijimi i parqe të lojërave për fëmijë dhe fushata sensibilizimi./n.m/
KOMENTE