English

Ekon Analize/ Mallrat "Made In Albania" Prezantohen Ne Cilesi Dhe Shifra Te Kenaqshme

TIRANE, 14 Maj/ATSH-A.Gjonaj/- Mallrat shqiptare po prezantohen në cilësi dhe shifra shumë të kënaqshme në tregjet evropiane në muajt e parë të vitit. Në krahasim me një vit më parë, në 4 muajt e parë të vitit 2010 kemi një rritje prej 64 % të 'eksportit të parë', thënë ndryshe të mallrave me origjinë 100 % shqiptare dhe një rritje prej 161 % të rieksporteve, që i përkasin përpunimit aktiv, pra përpunimit të lëndës së parë industriale që importohet nga jashtë dhe eksportohet përsëri në vendet e BE. Grupet e mallrave në këtë rritje i përkasin më së shumti industrisë së përpunimit të mineraleve, çimentos, hekurit, çelikut, si dhe industrisë së hidrokarbureve. Ndërkohë, referuar të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave edhe eksportet e granitit, porfirit, bazaltit, shkëmbit ranor e gurit monumental ndërtimor dhe të koksit të naftës, bitumit të naftës e mbetjeve nga vaji i naftës, nga minerale bituminoze, kanë pësuar rritje deri dhe te gurët dekorativë për kalldrëme e bordura prej guri natyral, te konfeksionet apo dhe te frutat, eksporti i të cilave ka pësuar gjithashtu rritje. Në këtë drejtim ndikim ka patur edhe forcimi i Lekut kundrejt monedhës evropiane euro, ulja e kostos së prodhimit si rezultat i uljes së normës së sigurimeve shoqërore, si dhe krijimi i Fondit të Garantimit të Eksporteve. Jo më pak sipas ekspertëve të ekonomisë, ka ndikuar në këtë rritje dhe eksperienca shumëvjeçare e firmave shqiptare me firmat e huaja në marrjen e know-how, si dhe unifikimin e procedurave dhe rregullave të origjinës me ato të Komunitetit Evropian. Të gjitha këto kanë bërë që të rritet kredibiliteti i mjedisit ekonomik shqiptar si një mjedis i aftë për t'u integruar jo vetëm në tregjet e vogla rajonale, por edhe në strukturat konkurruese evropiane. Duke u ndalur në shifra vihet re se, gjatë 4-mujorit të parë 2010 është regjistruar një volum i eksporteve shqiptare e shprehur në sasi prej 557 mijë ton nga 339 mijë ton të regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 218 mijë ton ose 64% më shumë. Ndërsa si vlerë të eksporteve shqiptare gjatë 4-mujorit të parë 2010 është realizuar një volum në vlerën prej 20 miliardë lekë, me një rritje prej 11 miliardë lekë ose 129 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, ku u realizua një vlerë prej 9 miliardë lekë eksporte. Rieksportet nga përpunimi aktiv gjatë 4 muajve të këtij viti shënuan gjithashtu rritje në sasi e vlerë krahasuar me 4-mujorin e parë të vitit të kaluar. Gjatë muajve të parë të këtij viti është regjistruar volumi i rieksporteve nga përpunimi aktiv e shprehur në sasi në 81 mijë ton nga 31 mijë ton të regjistruar gjatë të njëjtës periudhë të një viti më parë, me një rritje prej 50 mijë ton ose 161% më shumë. Si vlerë të rieksporteve nga përpunimi aktiv në muajt e parë të vitit 2010 u realizua një volum në vlerën prej 28 miliardë lekë, me një rritje prej 7 miliardë lekë ose 31% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009 ku u realizua nje vlerë prej 21 miliardë eksporte. Eksportet shqiptare gjatë muajit prill 2010 kanë shënuar gjithashtu rritje në sasi e vlerë krahasuar me muajin prill 2009. Gjatë muajit prill 2010 shtë rregjistruar volumi i eksporteve shqiptare e shprehur në sasi në 163 mijë ton nga 114 mijë ton të regjistruar në të njëjtën periudhë të një viti më parë me një rritje prej 49 mijë ton ose 44 % më shumë. Ndërsa si vlerë të eksporteve shqiptare gjatë muajit prill 2010 u realizua një volum në vlerën prej 5 miliard lekë, me një rritje prej 2.4 miliardë lekë ose 92% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009 ku u realizua një vlerë prej 2.6 miliardë lekë eksporte. Referuar të dhënave zyrtare të Doganave, rieksportet nga përpunimi aktiv gjatë muajit prill 2010 shënuan gjithashtu rritje në sasi e vlerë krahasuar me muajin prill 2009. Gjatë muajit prill 2010 volumi i rieksporteve nga përpunimi aktiv shprehur në sasi llogaritet në 32.4 mijë ton nga 11.5 mijë ton që u llogaritën në 4- mujorin e vitit 2009 me një rritje prej 9 mijë ton ose 181% më shumë. Si vlerë të rieksporteve nga përpunimi aktiv gjatë muajit prill 2010 u realizua një volum në vlerën prej 7.46 miliardë lekë me një rritje prej 2.24 miliardë lekë ose 43% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009, ku u realizua një vlerë prej 5.22 miliardë lekë eksporte./s.s./
KOMENTE