English

Infeksionet spitalore, shifra të larta në pavione

Tiranë, 14 maj, NOA - Infeksionet spitalore mbeten rreziku kryesor për jetën e një pacienti pas kryerjes së një ndërhyrje kirurgjikale. Në qendrën më të madhe spitalore në vend, sallat e kirurgjive vazhdojnë të kenë probleme me infeksionet spitalore.

Nga një studim që ka kryer sektori i kontrollit të infeksioneve spitalore në qendrën më të madhe spitalore në vend, rreth 15-20 për qind e pacientëve në QSUT preken nga infeksionet spitalore ku numri më i madh vërehet në sallat e kirurgjisë me 38 për qind të rasteve.

Sipas shefes së sektorit të kontrollit për infeksionet spitalore në QSUT, Svetllana Bitincka, ndryshe nga e shkuara, prej një viti infeksionet spitalore po vihen re më shume në pavione se në sallat e operacioneve.

“Infeksionet spitalore qe merr pacienti ne spitalet tona kapin shifra te larta. Nga monitorimi ynë mujor në pavionet kirurgjikale infeksionet spitalore përbejnë 38 % të rasteve dhe krijojnë rrezikshmëri 2 herë më të lartë për vdekje. Infeksionet spitalore merren pas 48- 72 orë qëndrimi në spital”, u shpreh Bitincka.

Drejtori i qendrës për akreditimin e shërbimit shëndetësor, Isuf Kalo, ka deklaruar gjatë konferencës kombëtare për infeksionet spitalore, pikat e dobëta ku duhet të ndërhyhet për të reduktuar numrin e tyre.

Sipas tij, mungesa e një strategjie kombëtare për parandalimin e infeksioneve spitalore, neglizhenca e personelit mjekësor dhe mungesa e investimeve janë shkaqet që çojnë në shifrat e larta të infeksioneve spitalore në të gjitha spitalet publike të vendit.

b.a/NOA

KOMENTE