English

Kodra: Mbështetja Ekonomike Vetëm Për Familjet Dhe Individët Në Nevojë

TIRANË, 14 Maj /ATSH/.- Rritja e efektivitetit dhe funksionimi sa më i mirë i skemës së ndihmës ekonomike është prioritet i Ministrisë së Punës, Çëshjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe po punohet për zbatimin sa më të mirë të saj, tha për ATSH-në zv/ ministrja Filloreta Kodra. Në lidhje për përmirësimet e mëtejshme të legjislacionit të ndihmës ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri, Kodra u shpreh se po identifikohen problemet dhe se "ky është vetëm fillimi i këtij procesi. Ndihma ekonomike duhet të shkojë aty ku janë edhe nevojat". Për këtë qëllim, sipas Kodrës, ka filluar puna për përmirësimin e legjislacionit në fushën e mbrojtjes sociale dhe përafrimin e tij me legjislacionin evropian. Reformimi i sistemit të mbrojtjes sociale synon të ndikojë drejtëpërdrejtë në reduktimin e varfërisë dhe përmirësimin e cilësisë së jetës për familjet dhe grupet në nevojë, ku përfshihen edhe fëmijët. Për shmangjen e abuzimeve në shpërndarjen e ndihmës ekonomike Shërbimi Social Shtetëror (SHSSH) ka nisur procesin e dixhitalizimit të skemës. Ky proces, do të përmirësojë efikasitetin e përkujdesit shoqëror në vend dhe veçanërisht shpërndarjen dhe kontrollin e pagesave të ndihmës ekonomike për të gjithë përfituesit në të gjitha bashkitë, komunat dhe zonat më të thella e problematike për mbledhje informacioni. Së shpejti pritet të përfundojë edhe studimi mbi hartën e varfërisë në të gjithë vendin. Grupi i punës, i përbërë nga drejtues dhe specialistë të Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve te Barabarta dhe Shërbimit Social Shtetëror, ka përfunduar pothuajse punën monitoruese në terren për të identifikuar familjet me varfëri ekstreme në të gjitha bashkitë, komunat dhe fshatrat e Shqipërisë. Nga të dhënat statistikore operative rezulton se zonat më të varfra, pra që parashikohet të kenë numrin më të madh të familjeve dhe individëve në varfëri ekstreme, janë zonat veriore dhe verilindore te vendit, si zona e Shkodrës, Dibrës, Kukësit, Elbasanit, Korçës dhe Lezhës. Për t'u ardhur në ndihmë familjeve në varfëri ekstreme, pavarësisht nëse janë ose jo përfituese nga skema e ndihmës ekonomike, por që nuk kanë mundësi financiare për të përballuar minimumin jetik, Ministria e Punës po bën gati projektvendimin "Për Ndihmën Ushqimore të Personave në Nevojë", ku parashikohet masa e ndihmës ushqimore, administrimi i kuponit në vleftë dhe mënyrat e procedimit të rimbursimit të tij. Aktualisht në skemën e ndihmës ekonomike janë 98 mijë familje në të gjithë vendin, të cilat do të mbulohen nga një fond me vlerë 5.2 miliardë lekë, ose 24 për qind më shumë se fondi i akorduar në vitin 2009. Për herë të parë në skemë janë futur edhe rreth 1500 familje me probleme sociale./e.gj/s.s./
KOMENTE