Tiranë, 14 maj, NOA - Qeveria dhe opozita duket se janë pranë arritjes së një marrëveshjeje që do t'i jepte fund krizës politike në Shqipëri. Termat e marrëveshjes janë propozuar nga faktori ndërkombëtar, por ato mbahen ende të papublikuara.
Megjithatë opozita, sipas organizatorëve, pritet që pas rreth 1 ore të organizojë në Tiranë një prej protestave më të mëdha qe nga koha kur ka nisur greva e urisë e rreth 200 përkrahësve dhe deputetëve të opozitës.
Çdo ditë folës të ndryshëm në mitingjet përpara selisë së qeverisë i kanë bërë thirrje kësaj të fundit që të realizojë transparencën e zgjedhjeve, ndërsa kanë shprehur vendosmërinë e tyre për të përshkallëzuar protestën.
Ka patur momente tensioni gjatë protestave të ditëve të shkuara në Tiranë dhe në rrethe, duke çuar edhe në konfrontim të protestuesve me forcat e policisë, ngjarje që janë shoqëruar me deklarata kontradiktore nga palët.
Faktori ndërkombëtar gjithnjë e më shumë po u bën thirrje palëve për gjetjen e zgjidhjes, pasi kjo situatë e acaruar pengon proceset integruese të vendit.
NOA/BBC