English

Kukës: Butikët, Mes Modës Dhe Ndryshimit Të Biznesit

KUKËS, 14 maj /ATSH-R.Hoxha/ - Biznesi i vogël i butikëve zë vendin e parë në qytetin e Kukësit me rreth 25 mijë banorë, pasi konkuron me veshjet me cilësi dhe çmime më të ulëta. "Të gjithë butikët janë të rregullt në shlyerjen e detyrimeve fiskale, ndonëse kanë vështirësi, pasi kërkesa e tregut është e ulët", thotë Resmi Zela, punonjës i zyrës së tatim taksave. Veshjet që tregtohen në butikë janë prodhime të huaja, kryesisht italiane. "Furnizimin e bëjmë ose në butikët e Tiranës, ose në Kosovë. Çmimet janë të larta, klientët tanë në më të shumtën janë të rinjtë që rendin pas modës", thotë pronari i një prej butikëve, Ismet Hoxha. "Kur çmimi kalon mbi 10.000 lekë, vështirë të afrohen klientët, ndonëse çdo çast janë të pranishëm", shton Hoxha, që shton se "për të tërhequr klientët e ekspozojmë mallin edhe në mjediset e jashtme të lokalit". Një pronar tjetër, Ismail Selimi thotë se në kushtet kur numri i klientëve është mjaft i ulët, ndoshta ky nuk është biznesi më i mirë. "Kam vendosur t'a mbyll, pasi nuk kam asnjë leverdi t'a mbaj hapur, sa për të kënaqur sytë e klientëve",shton ai. Vetëm në periudhën janar-prill kanë mbyllur aktivitetin e tyre 4 butikë dhe në këtë rrugë janë dhe të tjerët. Por në të vërtetë, të gjithë jo se shpallin falimentimin, por ndryshojnë destinacionin e tregtisë. Kështu njëri, lokalin ia ka dhënë me qera një shoqate, 2 të tjerë e kanë kthyer në pikë shitjeje të rrobave të përdorura. "Prej tyre kam më shumë fitim se kur e shisja rroba firmato",- thotë Zeneli, njëri prej tragtarëve. Ndërsa tregtarët e butikëve ankohen se, çdo ditë qindra blerës vizitojnë tregun e rrobave të përdorura, që është kthyer në furnizuesin kryesor për shumicën e banorëve të qytetit, edhe të rinjtë./ch/
KOMENTE