English

Meta: Intensifikim Të Marrëdhënieve Ekonomike Me Bullgarinë

TIRANË, 14 Maj/ATSH/.- Zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, u shpreh sot për intensifikimin e marrëdhënieve ekonomike me Bullgarinë. "Marrëdhëniet mes dy vendeve janë më të mira se asnjëherë tjetër, por ne jemi shumë të vendosur për të shënuar progres në të gjitha fushat, sidomos në bashkëpunimin ekonomik, tregtar dhe infrastruktror, sidomos për projektin e Korridorit 8-të, që është i një rëndësie të veçantë për ne", u shpreh ministri Meta gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Jashtëm bullgar, Mladenov. Pasi përshendeti inaugurimin dje në Tiranë të Dhomës së Tregtisë bullgaro-shqiptare, ku ishte i pranishëm dhe ministri Mladenov, Meta tha se "ne ramë dakord që brenda këtij viti të mbahet sesioni i 8- të i Komisionit të Përbashkët i bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, që do shënojnë progres në marrëdhëniet mes dy vendeve". Në konferencën për shtyp zv/kryeministri Meta tha se "ne besojmë në mbështetjen e Bullgarisë si për çështjen e liberalizimit të vizave dhe përparimin e mëtejshëm drejt anëtarësimit në BE". Gjithashtu, ministri i Jashtëm shqiptar tha se në takim me homologun bullgar u konfirmua vullneti për të rritur bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të NATO-s dhe të reformave që po diskuton Aleanca, për të cilat do të vendoset në Samitin e ardhshëm të Lisbonës. /a.s/s.s./
KOMENTE