English

Mladenov: Situata Zgjidhet Përmes Dialogut Në Parlament

TIRANË, 14 Maj/ATSH/.- Ministri i Jashtëm bullgar, Nickolay Mladenov, deklaroi sot në Tiranë se "zgjidhja e situatës në Shqipëri vjen përmes dialogut në parlament dhe transparencës e kushtetueshmërinë". Ministri bullgar, gjatë një konference për shtyp me homologun e tij shqiptar, Ilir Meta, duke komentuar situatën aktuale politike në Shqipëri, tha se "Bullgaria ka kaluar vetë një proces të vështirë tranzicioni, sidomos në vitet '90 dhe ky ishte një proces krejt emocional". "Por, më lejoni të them se dy vendet tona, duke qënë anëtare të NATO-s, duhet të konfirmojnë angazhimin e tyre që t'i zgjidhin debatet e brendshme politike përmes procedurave parlamentare dhe bazuar në transparencën e kushtetueshmërinë", u shpreh ministri Mladenov. Ai u bëri thirrje liderëve të forcave politike shqiptare në parlament "që të gjejnë një zgjidhje për situatën e tanishme, një zgjidhje kjo që të jetë në përputhje me transparencën, me Kushtetutën e legjislacionin shqiptar, si dhe me angazhimet që ka marrë Shqipëria në Këshillin e Europës". Sipas tij, "është një shenjë e pjekurisë politike që të arrihet një marrëveshje për të ardhmen politike të vendit dhe një nga këto shenja është që mosmarrëveshjet të zgjidhen përmes dialogut dhe në parlament". Ministri i Jashtëm bullgar shprehu dëshirën që në javët e ardhshme ky dialog mes palëve të forcohet. "Natyrisht nuk është detyra jonë të ndërhyjmë në punët e brendshme të një vendi, aq më shumë kur ai është një vend aleat, por mendoj që të gjitha angazhimet që Shqipëria ka si anëtare e NATO-s dhe në procesin e saj drej BE-së, luftën kundër krimit, korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor, të gjitha këto kërkojnë që në të ardhmen të forcohet dialogu dhe kjo të jetë përgjegjësi e përbashkët si e qeverisë dhe e opozitës", u shpreh ministri Mladenov në konferencën e përbashkët për shtyp me ministrin e jashtëm shqiptar, Meta. /a.s/s.s./
KOMENTE