Tiranë, 14 maj, NOA - Komplikacionet në stomak kanë detyruar grevistin 36 vjeçar, Astrit Cengu, që të ndërpresë grevën e urisë. Partia Socialiste njofton se
36 vjeçari nga Kukësi është dërguar menjëherë në spital për t’i mundësuar dhënien e mjekimit më të specializuar shëndetësore.
Numri i grevistëve të larguar nga greva e urisë si pasojë e problemeve serioze në shëndet është 34. Gjatë ditës së sotme ka lënë grevën dhe një tjetër person nga Elbasani. Ai është Ferit Leka dhe është dhe vëllai i deputetit Agim Leka.
Nga greva janë larguar personat që kanë pasur shqetësimet më serioze, si probleme me tensionin, diabetin dhe probleme kardiake.
Mjekët që asistojnë nga afër grevën e urisë thonë se në ditën e 14 të saj, të gjithë grevistët janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
m.xh/NOA