Tiranë, 14 maj, NOA – Gjatë datave 17-19 maj, Shqipërinë e viziton shkrimtari turk me famë botërore, Orhan Pamuk, fituesi i çmimit Nobel në Letërsi për vitin 2006.
Axhenda e qëndrimit të tij në Shqipëri parashikon një takim me vetë presidentin Bamir Topi në selinë e Presidencës, si edhe me kryeministrin Sali Berisha në selinë e Kryeministrisë.
Ndërkaq, ai do të jetë i pranishëm edhe në promovimin e veprës së tij të re të botuar në shqip “Stambolli” që do t’i paraqitet lexuesit shqiptar këto ditë, më aktivitetin e titulluar “Mbrëmje me Orhan Pamuk” e parashikuar të zhvillohet në selinë e Kuvendit.
Por Pamuk gjithashtu parashikohet të jetë edhe i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Doktor Honoris Causa”, që i jepet atij nga Universiteti Shtetëror i Tiranës.
Në fund, është menduar që gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri të zhvillojë edhe një vizitë në qytetin e Beratit.
n.e/NOA