Tiranë, 14 maj, NOA - Në prag të nisjes së sezonit turistik në vend, shoqata e turizmit i kërkon qeverisë që të rishikojë taksat për këtë sektor. Konkretisht operatorët turistik kërkojnë që tatimi i vlerës së shtuar të ulet nga 20% në 8 % për sektorin e hoteleve dhe restoranteve.
Ndërsa niveli i taksës lokale të çmimit të fjetjes nga bashkitë dhe komunat nga 5 të shkojë në 0.5 deri në 1 %. Gjatë një konference për shtyp, drejtues të shoqatës u shprehen se një nisëm e tillë do t’i jepte një frymëmarrje edhe më të madhe industrisë së turizmit dhe do të ndikonte në rritjen e konkurrueshmërisë.
Sipas tyre, niveli i këtyre taksave duhet të ulet për t’iu afruar tendencave europiane dhe atyre rajonale. Aktualisht taksa për dhomë në Turqi është 8%, në Greqi 9% ndërsa në Mal të Zi 7%, ndërkohë që në Shqipëri është 20%, çka do të thotë 150 % më e lartë.
Nivele të tilla taksash, sipas operatorëve turstik rrisin kostot për biznesin, pasi niveli i lartë i transaksioneve bankare, çmimi i energjisë elektrike, kostot shtesë në zona të veçanta për pastrimin nga mbeturinat e bëjnë sektorin e turzimit jo të lirë dhe jo konkurrues. Por një nisëm e tillë duket se ka pak gjasa të ndodhë, në një kohë që buxheti i shtetit po haset me vështirësi në mbledhjen e të ardhurave në masën e planfikuar.
r.l/NOA