Situata Në Ballsh-Infektimi Nga Uji Është Ndërprerë
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, rastet e paraqitura ditët e fundit janë më shumë reflektim i infektimit të disa ditëve më parë -
TIRANË, 14 Maj/ATSH-Eriola Çuko/ - Pas masave të marra në qytetin e Ballshit nga autoritetet shëndetësore, në bashkëpunim me pushtetin vendor, infektimi duket se është ndërprerë dhe rastet e paraqitura janë më shumë reflektim i infektimit të disa ditëve më parë.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ditën e mërkurë (12 maj) u regjistruan 92 raste të reja me simptoma infektimi.
"Bazuar në të dhënat e deritanishme dhe pas një diskutimi të gjerë me specialistë epidemiologë, infeksionistë, higjenistë, bakterologë dhe virologë, mbështesim idenë e një shpërthimi gastroenteritesh, me shumë mundësi të shkaktuar nga noroviruset e përhapura përmes ujit", thanë sot për ATSH-në burime nga ISHP.
Shpërthimi ka filluar në datën 7 maj, kur u regjistruan 4 raste me shenja gastrointestinale, të cilën u pasuan nga 8 raste në ditën e dytë, për të arritur në 100 raste në 10 maj dhe 227 të tillë në 11 maj.
Gastroenteriti akut viral shkaktohet nga një grup virusesh të quajtura Noroviruse. Gastroenteriti është një inflamacion (skuqje) i stomakut dhe i zorrëve. Ndryshe ky gastroenterit njihet edhe si "gripi i stomakut".
Sipas epidemiologëve, Norovirusi është shumë ngjitës dhe shpërndahet shumë shpejt, ndaj duhet treguar shumë kujdes. Simptomat e tij janë të përzjera, të vjella, diarre dhe dhimbje stomaku. Tek disa njerëz mund të shfaqen dhe dhimbje koke, temperaturë jo e lartë, lodhje, etj.
Sëmundja zakonisht fillon 12-48 orë menjëherë pas infektimit dhe zakonisht zgjat 1-2 ditë. Ndërkohë, mjekët këshillojnë që të tregohet kujdes me fëmijët, të moshuarit, të sëmurët me sëmundje kronike, etj.
Infektimi ndodh nga konsumimi i ushqimit apo ujit të ndotur, prekja e objekteve apo sipërfaqeve te ndotura, si dhe nga kontakti direkt me persona të tjerë të infektuar.
Përhapja e infeksionit mund të parandalohet, ndaj mjekët këshillojnë zbatimin me rigorozitet të rregullave të higjenës, si larja e duarve me sapun pas çdo aktiviteti, larja me ujë të bollshëm e frutave dhe zarzavateve, por edhe zierja e ujit, etj./s.s./