Tiranë, 14 maj, NOA – Partia Socialiste ka deklaruar se protestuesit e saj në mitingje janë provokuar dhe se zhvillimi i gjithë protestave ka qenë paqësor.
Në një deklaratë për mediat, deputeti i PS-së Fatmir Toçi, u shpreh se të gjithë përgjegjësit për incidentet në radhët e policisë do të mbajnë përgjegjësi. “Të gjithë provokimet dhe provokatorët do të mbajnë përgjegjësi, po kështu pushteti dhe çdo drejtor policie që do t’i nënshtrohet interesave të pushtetit duke shkelur ligjet e shtetit”.
Ai akuzoi dhe ministrin e Brendshëm, Lulzim Basha për shkelje të ligjit. “I bëjmë thirrje Lulëzim Bashës, këtij ministri në kërkim, që është strukur në qeveri për t’ju fshehur ligjit, të ndalë vrazhdën e turpshme të komunikatave e deklaratave,që synojnë për të përbaltur e njollosur rezistencën shumë paqësore të qytetarëve”, u shpreh Toçi.
Toçi shtoi se protesta e PS nuk ka lidhje, “as me njerëz të inkriminuar, e as me të dënuar, të cilët policia e shtetit nuk dihet ti lidhë në asnjë mënyrë me Partinë Socialiste, por duhet ti trajtojë sipas ligjeve të shtetit”.
Ai theksoi se protestat e PS-së nuk janë të dhunshme, por tregojnë vetëm vullnetin dhe kurajën qytetare për të rezistuar paqësisht.
“Qytetarët janë të ftuar të vijnë në protestën tonë pa shqetësimin më të vogël për sjellje të dhunshme apo sjellje të paligjshme”, u shpreh Toçi.
m.xh/NOA