English

Ukrainë - Presidenti E Vlerëson Të Pamundur Bashkimin E Gazpromit Me Naftogazin

KIEV, 14 maj /ATSH-AFP/ - Presidenti ukrainas Viktor Janukoviç e cilësoi të pamundur bashkimin mes gjigandit rus Gazprom dhe shoqërisë ukrainase Naftogaz, i propozuar nga kryeministri rus Vladimir Putin, në një intervistë të transmetuar sot në BBC. "Kjo është e pamundur", deklaroi Janukoviç. Më 30 prill, Putini shkaktoi shqetësim duke propozuar bashkimin e Gazpromit, prodhuesi më i madh në botë i gazit, me homologun ukrainas ukrainas Naftogaz, që ndodhet në vështirësi, duke i kapur të papërgatitura autoritetet ukrainase. "Nëse kjo do të bëhet 50-50, do të ishte interesante", sugjeroi Ianukoviç, përpara se të shprehej se bëhej fjalë për një shaka. Në të vërtetë, sipas disa ekspertëve, pjesa e Ukrainës në këtë bashkim nuk do ta kalojë 8 për qindëshin. "E kuptojmë se është e pamundur që kjo të bëhet me pjesë të barabarta, sepse Gazpromi nuk do ta pranojë asnjëherë, Rusia nuk do ta pranojë. Kjo është një shaka. Një bashkim me një kusht tjetër është i pamundur", deklaroi shkurt Janukoviç. Kryeministri i Ukrainës Mykola Azarov, ka njoftaur më 5 maj se Ukraina është gati të marrë në konsideratë një bashkim vetëm nëse ky do të bëhet me pjesë të barabarta. Ukraina është e gatshme të formojë një konsorcium me Rusinë dhe Bashkimin Evropian për të modernizuar sistemin e saj të gazsjellësve, nëpërmjet të cilit kalon tranzit 80 për qind e furnizimeve me gazin rus drejt Evropës, bëri të ditur Janukoviç. Nëse krijohet ky konsorcium, "të gjithë pjesëmarrësit do të kenë një pjesë në gazsjellësit ukrainas", theksoi ai. /I.Pu.
KOMENTE