Tiranë, 15 Maj 2010 NOA - Djali i çiftit të njohur, Inva Mula-Pirro Çako ka zgjedhur si kujdestare të tij, nënën e tij duke e deklaruar këtë në sallën e gjyqit ku erdhi për herë të parë.
Anthony Çako, 14-vjeçar, ka deklaruar në seancën e divorcit të prindërve të tij, seancë e cila u zhvillua pasditen e së premtes, se dëshironte të qëndronte me sopranon Inva Mulën. “Unë jetoj në Francë, ku edhe vazhdoj studimet e mia. Dëshiroj të rri me mamin”, mësohet të ketë deklaruar i mituri.
Më pas ai është lënë i lirë që të largohej nga seanca. Më herët, gjyqtarja kishte kërkuar që fëmija të zgjidhte vetë me kë donte të jetonte. Po ashtu, gjykata kishte caktuar psikologë për të shqyrtuar kujdestarinë.
As sopranoja me famë botërore, por as këngëtari i njohur nuk kanë qenë prezent në seancë.
Pirro Çako përfaqësohej në seancë gjyqësore, nga asistentja e avokates së tij Holta Kotherja.
Gjykata e Rrethit Tiranë, ka shtyrë seancën për një datë tjetër, ku pritet që çifti i njohur të firmosë përfundimisht divorcin tyre.
Kërkesa për divorcin e çiftit u depozitua më datën 1 prill të vitit të kaluar nga avokati i sopranos Inva Mula, Sokol Çomo. Në kërkesën e saj Inva Mula sqaronte se martesa e saj e ka humbur kuptimin, për shkak se jetonin prej shumë kohësh të ndarë.
r.n/NOA